Plagosja në Kurbin/ Shpallet në kërkim autori dhe një tjetër person, procedohet edhe mjeku i spitalit

12:10, 25/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Kurbinit ka zbardhur dinamikën e ngjarjes së ndodhur në fshatin Gurëz, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar. Në vijim të hetimeve janë identifikuar dhe shpallur në kërkim dy shtetas, Fation Cobelita (alias Fation Staka) dhe Renato Marku, ndërsa një tjetër person dhe një mjek janë proceduar penalisht për vepra të ndryshme. Hetimet për ngjarjen vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë.

Njoftimi i policisë: 

Zbardhet dinamika e ngjarjes së ndodhur paraditen e djeshme, në fshatin Gurëz, Kurbin, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një 35-vjeçar.

Identifikohet autori dhe shpallet në kërkim.

Gjithashtu, u shpall në kërkim edhe një shtetas tjetër për moskallëzim krimi.

Procedohet penalisht edhe mjeku roje i spitalit, për mosnjoftim të shërbimeve të Policisë.

Në vijim të informacionit të dhënë për ngjarjen e ndodhur më datë 24.04.2026, pas veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se:

Shtetasi A. T. është konfliktuar, dyshohet për motive të dobëta, me shtetasin F. C., alias F. S., i cili dyshohet se ka plagosur 35-vjeçarin.

Ndërsa shtetasi R. M., 26 vjeç, ka shoqëruar në spital 35-vjeçarin dhe më pas është larguar, duke braktisur automjetin me të cilin udhëtonte.

Po nga veprimet rezulton se, rreth orës 10:20, në spitalin e Laçit ka mbërritur i plagosur në këmbë me armë zjarri (pistoletë) 35-vjeçari dhe mjeku roje nuk ka njoftuar shërbimet e Policisë, por e ka dërguar për mjekim në Spitalin e Traumës, Tiranë.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u bë shpallja në kërkim e shtetasve:

F. C., alias F. S., 40 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”;

R. M., 26 vjeç, banues në të njëjtin fshat, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi A. I., 58 vjeç, banues në Kurbin, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi nuk ka kryer detyrën e tij funksionale.

Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë ligjor të rastit. 

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco