Banorët e zonës së Cakranit në Fier janë ngritur në protestë këtë të shtunë, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë për transferimin e shërbimit të gjendjes civile drejt njësisë administrative të Levanit.
Banorë të zonës, pavarësisht bindjeve politike, janë bërë bashkë për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj një lëvizjeje që, sipas tyre, do t'u vështirësojë jetën dhe do t'i largojë shërbimet thelbësore. Protestuesit kërkojnë që zyra e gjendjes civile të mos largohet, duke argumentuar se ky vendim do t'i detyrojë të udhëtojnë distanca të gjata për të marrë shërbime bazë. Një ish-kryetar i komunës së Cakranit, i pranishëm në protestë, theksoi se zona ka rreth 17,000 banorë dhe se transferimi në Levan është i palogjikshëm.
“Jemi njoftuar nëpërmjet mediave që gjendja, shërbimi i gjendjes civile të Cakranit transferohet në Levan. Dhe për këtë ne jemi në kundërshtim plotësisht. Arsyet që e kundërshtojmë janë sepse ne jemi një zonë me gjendje civile prej 17,000 banorësh. Dhe që të transferosh në Levan, ku fshati më i largët nga Levani shkon 27 km, se nga Cakrani në Levan është 20 km, ta transferosh gjendjen civile nuk është gjë e mirë për të gjithë cakranjotët dhe për gjithë zonën tonë. Për gjithë zonën tonë, ku numri i punonjësve të gjendjes civile do të jetë dy në Levan, të marrin një në Levan e një në Cakran dhe Cakrani të mbetet në Cakran. Dhe historikisht neve nuk na lidh asnjë gjë me Levanin. Ne na lidh me Mallakastrën. Dhe e keqja më e madhe është se ne shkojmë në Fier. Po jo të shkojmë në Levan. Jo të shkojmë në Levan. Po ta hedhësh në kritere, ose të shohësh kriteret e Levanit, kriteret e ndarjes territoriale për shembull. Të shikosh kriteret e ndarjes territoriale, Cakrani i plotëson të gjitha kriteret për një bashki. Ku ka shkollë të mesme, ka spital, një spital 24-orësh, ka shkollë nëntëvjeçare, ka 13 fshatra, ka biznese, mbi 13 fabrika vaji, ka markete, ka parukeri, domethënë të gjitha, farmaci, të gjitha kërkesat që do robi i gjen në Cakran”, është shprehur një nga protestuesit.
© SYRI.net