EMRAT/ Mashtronin të huajt për të investuar në bursa fiktive, 2 të arrestuar dhe 12 të proceduar në Tiranë

10:15, 25/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një tjetër rast i mashtrimit ndërkombëtar përmes bursave fiktive është goditur nga Policia e Shtetit në Tiranë, gjatë një operacioni të koduar “Fasada”.

Sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë ka zbuluar një apartament në rrugën “Sulejman Delvina”, i cili ishte përshtatur si call center dhe përdorej për të mashtruar shtetas të huaj, duke i shtyrë të investonin në bursa fiktive.

Gjatë ndërhyrjes, policia ka vënë në pranga dy shtetas, Argest Rushi, 44 vjeç dhe Leonard Maksutaj, 26 vjeç, të cilët administronin ambientin e përshtatur për këtë aktivitet të paligjshëm. Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë 12 shtetas të tjerë, të cilët punonin si operatorë në call center.

Sipas hetimeve paraprake, apartamenti ishte marrë me qira nga A. R., i cili në bashkëpunim me L. M. e kishte kthyer atë në një qendër mashtrimi për qytetarë të huaj.

Në vendngjarje janë sekuestruar 19 njësi kompjuterike, 2 celularë dhe 1 DVR, që dyshohet se përdoreshin në aktivitetin kriminal.

Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj skeme dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco