Biznesi fason, është një nga bizneset më fitimprurese në Shqipëri, ku gjeneron miliona euro të ardhura në vit, por problemi që mbulon këtë sektor mbetet i njëjtë, pavarësisht viteve që ikin. Kushtet e punës për punonjësit dhe pagat.
Këto të fundit në rastin më të ‘mirë’ jepen me vonesë, ndërsa në rastin më këtë keq nuk jepen fare. Siçështë rasti që po trajtojmë këtë të premte.
Jemi në Durrës, aty ku dhjetëra punonjës të fasonerisë ‘SC Invest’, pjesë e grupit italian ‘Denim Factory’, kanë pagën e muajit janar ende pa marrë, ndërsa që shuma të konsiderueshme i janë mbajtur dhe nga muajt e tjerë që kanë kaluar.
Sipas tyre, pronari shqiptar, Blerim Hajdinolli, nuk u përgjigjet më pasi ka marrë lekët nga biznesi italian, që duhet të kishin shkuar për pagat e tyre, por në fakt sipas tyre, nuk dihet se ku kanë shkuar.
Ndërsa siguracionet ashtu siç ndodh rëndomtë në Shqipëri nuk u janë paguar. Duke e kthyer këtë detyrim ligjor, si një të drejtë ekskluzive të pronarëve që kur duan i paguajnë e kur nuk duan nuk i paguajnë duke shkelur me të dyja këmbët ligjin.
Të rraskapitura nga puna sfilitëse dhe me një zhgënjim që u duket në sy, ato kërkojnë ndihmë. Pasi siç, shprehen vetë, institucionet shtetërore nuk u kanë ofruar asnjë zgjidhje. Sipas tyre, Inspektoriati i Punës, Durrës, nuk u ka ofruar asnjë zgjidhje konkrete përveçëse ka vënë në dukje shkeljet e bëra nga zoti Hajdinolli.
Gjatë rrëfimeve të tyre, ato tregojnë vështirësitë e punës, orët e gjata dhe shtesë që kanë punuar në sektorë të ndryshme, ndërsa disa prej tyre kanë dhe shenja të djegurash në duar duar të shkaktuara nga hekuri, gjatë procesit të hekurosjes.
Pasi dëgjuam rrëfimet e punonjësve, u nisëm drejt Sukthit, aty ku banon dhe zoti Blerim Hajdinolli, të cilin patën dhe fatin ta takonim dhe të merrnim një përgjigje prej tij. Në përballjen me zonjat, ish-punonjëset e tij, zoti Hajdinolli e pranon se I ka marrë 18 mijë euro nga pronari italian, por që sipas tij, ia paska bllokuar banka për shkak se ishte debitor.
Po ku është faji i zonjave në këtë mes?! Në fakt ato nuk kanë asnjë faj, prandaj dhe kërkojnë me ngulm të drejtën e tyre. Pas një bisede disa minutëshe, Hajdinolli, zotohet që brenda dymbëdhjetë ditësh të bëjë pagesën që u detyrohet zonjave.
© SYRI.net