Gjykata e Posaçme e Apelit lë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për dënimin e Jurgis Çyrbjas, Altin Hajrit e Ahmet Mashës.
Shkalla e Parë e deklaroi fajtor ish-deputetin e Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja dhe e dënoi atë me 3 vjet burg për veprat penale të korrupsionit në zgjedhje, përkrahjes së krimit dhe nxjerrjes së sekretit shtetëror. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, Çyrbja do të vuajë 2 vjet burg, raporton gazetari Fatjon Gjinaj.
Gjykata vendosi gjithashtu dënimin e Altin Hajrit, një personazh i dyshuar për krim të organizuar me 3 vjet burg, ndërsa për të pandehurin tjetër, Ahmet Masha u caktua një dënim prej 2.6 vitesh burg. Jurgis Cyrbja kishte kërkuar prishje të vendimit dhe rikthim për gjykim.
Altin Hajri kishte kërkuar pafajësi ose ricilësim të veprës penale nga korrupsion në ndikim të paligjshëm ndërsa Ahmet Masha pafajësi. Sipas prokurorit Adnan Xholi, ish-deputeti Jurgis Çyrbja kishte konsumuar në tetë raste veprën penale tregtim i sekretit shtetëror, në pesë raste veprën penale të përkrahjes së autorit të krimit si dhe korrupsion zgjedhor në mars të vitit 2021.
Të pandehurit Jurgis Çyrbja dhe Ahmet Masha u arrestuan në tetor të vitit 2024, duke zbuluar lidhje të thella dhe bashkëpunim mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor, duke deformuar votën e lirë. Sipas hetimeve, në këmbim të votave dhe mbështetjes, Çyrbja ka përdorur funksionin e tij si deputet për të siguruar të dhëna sekrete nga policia, të cilat ua vinte në dispozicion anëtarëve të grupeve kriminale.
© SYRI.net