Një goditje e fortë ndaj tregut të shpërndarjes së kokainës në qytet është realizuar nga karabinierët e komandës provinciale të Asti-t, të cilët prej kohësh po ndiqnin një shtetas shqiptar të dyshuar si drejtues i një qendre të rëndësishme shpërndarjeje.
Bëhet fjalë për një 47-vjeçar, me shtetësi shqiptare dhe me precedentë penalë, i cili kishte në dispozicion dy banesa në qytet. Pas kontrolleve në të dyja banesat, autoritetet gjetën në total 22 kilogramë kokainë, që në treg përkthehen në rreth 100 mijë doza, me një vlerë të përafërt prej 5 milionë eurosh.
Kontrolli i parë u krye në banesën ku ai jetonte zakonisht, në rrugën Vayra në Asti, ku u gjet një sasi e vogël droge. Gjithashtu, u sekuestruan tre armë zjarri: një në banesë, një në garazh dhe një tjetër në automjetin që përdorte 47-vjeçari.
Goditja vendimtare erdhi gjatë kontrollit në banesën e dytë, në rrugën Pallio, ku u zbulua pjesa më e madhe e kokainës. Aty u gjetën edhe dy armë të tjera ilegale, mes tyre një pistoletë e vjedhur me numër serie të fshirë, një silenciator artizanal dhe mbi 200 fishekë, përfshirë edhe municion lufte.
Sipas autoriteteve, operacioni erdhi pas një pune të gjatë monitorimi në zonat më problematike të qytetit, ku kishte përqendrim të shpërndarësve të vegjël dhe përdoruesve të drogës. Hetimet u bazuan në lëvizje të dyshimta, takime të shkurtra dhe kontakte të përsëritura, deri në ndërtimin e plotë të skemës kriminale.
47-vjeçari u arrestua dhe u dërgua në burgun e Alessandrias, ndërsa autoritetet theksojnë se operacioni është një shembull i punës së kujdesshme dhe të vazhdueshme në luftën kundër krimit.
© SYRI.net