Tentuan vrasjen e Hysen Mërnicës -  Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe çon për gjykim babë e bir

Tentuan vrasjen e Hysen Mërnicës - Prokuroria e Fierit mbyll hetimet dhe çon për gjykim babë e bir

10:32, 23/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq dy shtetas, babë e bir, të akuzuar për “vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria njofton se në përfundim të hetimeve janë marrë të pandehur shtetasit Afrim Cimili dhe Ali Cimili, të cilët akuzohen për kryerjen e veprës penale në bashkëpunim.

Sipas hetimeve, ngjarja ka ndodhur rreth nje vit me parë (10 prill 2025) pas një konflikti të mëparshëm mes Ali Cimilit dhe shtetasit Hysen Mërnica. Dy të pandehurit dyshohet se i kanë zënë pritë këtij të fundit, ndërsa ai po lëvizte me motomjet së bashku me nënën e tij, Suzana Mërnica.

PROKURORIA PRANË GJYKATËS SË SHKALLËS SË PARË TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM FIER

Prokuroria Fier përfundon hetimet dhe dërgon në gjyq shtetasit A.C dhe A.C (babë e bir) për vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit H.M.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq shtetsit A.C.dhe A.C. (babë e bir) për veprën penale ‘Vrasja me paramendim’ kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë dhe ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’ parashikuar nga nenet 78, 25, 22 dhe 278, paragrafi 1 të Kodit Penal.

Nga hetimet mbi procedimin penal nr.474, rezultoi e provuar se të pandehurit A.C dhe A.C, për shkak të një konflikti të mëparshëm midis të pandehurit A.C (i biri/djali) dhe viktimës H.M, në drejtimin e dy automjeteve të ndryshme, i kanë zënë pritë viktimës H.M, i cili po lëvizte me një motomjet së bashku me nënën e tij S.M, duke e qëlluar 9 (nëntë) herë gjatë kohës që ishin në lëvizje me automjetet respektive.

Konkretisht, i pandehuri A.C., pak përpara se të ndodhte ngjarja ka qenë së bashku me të atin e tij, të pandehurin A.C. Gjatë kësaj kohe janë shkëmbyer në rrugë me viktimën H.M dhe konstatuar itenerarin e tij të lëvizjes. Në këto rrethana, dy të pandehurit së bashku kanë përgatitur kushtet për kryerjen e veprës penale dhe kryer atë. I pandehuri A.C., nën drejtimin e automjetit tip “Toyota”, ka qëlluar me armën zjarri  kundrejt viktimave, kurse i pandehuri tjetër A.C., nën drejtimin e automjetit tip “Mercedes-Benz”, ka qëlluar me armën tip pistoletë kundrejt viktimave.

Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier shpreh angazhimin e plotë për hetimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave që kryejnë vepra penale kundër jetës dhe shëndetit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco