Nga Alba Kepi
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës, 21 prill, në Velletri, në periferi të Romës. Rreth orës 21:00, në via Mariano Colagrossi, një 40-vjeçar me origjinë shqiptare, pronar i një salle bastesh, është plagosur me armë zjarri.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, Alban Hekurani sapo kishte parkuar automjetin dhe po shkonte drejt banesës së tij kur është qëlluar nga pas nga persona të panjohur, të cilët më pas janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja.
Menjëherë pas sulmit, 40 vjeçari, i cili rezulton pronar i Gold Bet është transportuar me urgjencë nga shërbimi ARES 118 në Poliklinikën di Tor Vergata në Romë, ku është shtruar në gjendje të rëndë.
Në vendngjarje kanë ndërhyrë karabinierët e kompanisë së Velletri, të cilët kanë nisur hetimet dhe kanë kryer inspektimin e zonës. Autoritetet po punojnë për të sqaruar dinamikën e ngjarjes dhe nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë edhe një tentativë grabitjeje të përfunduar keq.

Alban Hekurani
© SYRI.net