Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur qytetin e Podgoricës, ku tre persona humbën jetën pas një sulmi brutal me armë të ftohtë. Viktimat janë identifikuar si vëllezërit shqiptarë Denis dhe Nezrin Hoti, si dhe Kenan Miraljemović, shtetas serb nga Novi Pazari.
Policia malazeze bëri të ditur se ka arrestuar autorin e dyshuar të krimit, 25-vjeçarin Vehad Murić, i cili u kap pas një operacioni të gjerë të zhvilluar në disa zona të vendit. Sipas autoriteteve, ai u lokalizua dhe u vu në pranga në një hapësirë të hapur në qendër të Rozhajë, pas një sërë veprimesh operative dhe taktike.
Ngjarja ndodhi një natë më parë në lagjen Stari Aerodrom, ku dyshohet se Murić ka kryer sulmin fatal ndaj tre viktimave. Hetimet paraprake tregojnë se ai është autori i drejtpërdrejtë i krimit.
Ndaj të arrestuarit rëndon akuza për “vrasje të rëndë” dhe pritet që çështja t’i kalojë Prokuroria e Lartë e Shtetit në Podgoricë për vijimin e procedurave ligjore.
Autoritetet theksojnë se janë mbledhur prova të konsiderueshme që e lidhin të dyshuarin me ngjarjen, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht motivet dhe rrethanat e këtij krimi të rëndë.
© SYRI.net