Call center-at mashtrues janë zhvendosur nga qendra e Tiranës drejt periferive, duke operuar në vila luksoze të kamufluara si biznese të turizmit dentar. Një tjetër rast është zbuluar nga “Piranjat” në Bërzhitë, ku një strukturë me mbi 100 punonjës mashtronte shtetas të huaj përmes investimeve fiktive online. Policia dhe krimi ekonomik kanë marrë në dorë hetimet, ndërsa dyshohet se janë fshirë të dhëna për të zhdukur provat.
Call center-at mashtrues duket se kanë ndryshuar strategji, duke u zhvendosur nga qendra e Tiranës drejt zonave periferike, në vila luksoze të izoluara dhe me masa të larta sigurie. Një rast i tillë u zbulua nga “Piranjat” në zonën e Bërzhitës, ku në ambientet e një resorti mes gjelbërimit operonte një strukturë e mirëorganizuar me rreth 100 deri në 150 punonjës. Aktiviteti i tyre dyshohet se ishte mashtrimi i shtetasve të huaj përmes investimeve fiktive online, ndërsa kamufloheshin si kompani të turizmit dentar.
Pas një vëzhgimi disa javor të kryer nga gazetarët e emisionit investigativ, u dokumentuan hyrje-daljet dhe funksionimi i përditshëm i këtij call center-i. “Piranjat” vendosën të ndërhyjnë vetë brenda ambienteve ku kryhej një aktivitet i tillë, ndërsa në momentin e ndërhyrjes, punonjësit u përfshinë nga paniku, duke u larguar me shpejtësi nga ambientet.
“Punonjësit u shpërndanë në çdo cep të vilës, shumë prej tyre duke vrapuar dhe duke mbuluar fytyrën për të mos u identifikuar.”
Në përpjekje për të penguar filmimin, një person tentoi të marrë kamerën me forcë, ndërsa të tjerë reaguan me tone agresive.
“Pavarësisht tentativave për të na ndaluar, puna jonë do të vijojë në shërbim të zbardhjes së së vërtetës.”
Brenda objektit u konstatuan ambiente të ndara në disa zyra, ndërsa dyshohet se është ndërhyrë nga distanca për të fshirë të dhënat kompjuterike, me qëllim zhdukjen e provave.
Punonjësit rezultonin të pajisur me kontrata individuale pune, ndërsa aktiviteti maskohej përmes tabelave reklamuese të shërbimeve mjekësore. Gjithashtu, punonjësit ishin të gjithë të pajisur me kontrata individuale pune, të firmosura nga punëdhënësi Franc Korteshi. Në vendngjarje mbërritën edhe forcat e policisë dhe agjentët e krimit ekonomik, të cilët morën në dorë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rrjeti mashtrimi.
© SYRI.net