Në foto: Kalaja ku i dha fund jetes shqiptari, Artur Koni

Vrasje e dyfishtë dhe vetëvrasje në kalanë e Cossombratos, tragjedia shqiptare trondit Italinë

18:43, 18/04/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një zinxhir dhune që ka përfunduar me vetëvrasjen e autorit duke u hedhur nga lartësia.Tre jetë të ndërprera në të njëjtin skenar dramatik.

Nga Alba Kepi

Një burrë ka vrarë ish-bashkëshorten dhe partnerin e saj të ri, më pas ka shkuar në kullën e kalasë komunale të Cossombrato-s (Asti) dhe i ka dhënë fund jetës.

Autori i dyshuar i vrasjes së dyfishtë është Astrit Koni, 59 vjeç, me origjinë shqiptare, i njohur në fshat si Arturo. Ai ka sulmuar ish-bashkëshorten, Drita Koni, bashkëmoshatare e tij, dhe partnerin e ri të saj, Bardhok Gega, duke i goditur për vdekje me një ronkolë, një mjet bujqësor që e përdorte zakonisht në punën e tij si kopshtar.

Trupi i parë që është gjetur ka qenë ai i 59-vjeçarit, i cili ishte hedhur nga kulla e kalasë së qytezës së vogël në zonën e Asti-t. Burri punonte në mirëmbajtjen e hapësirave të gjelbra dhe kishte çelësat për të hyrë në strukturë, detaj që i ka mundësuar të arrijë pa vështirësi në majë. Vetëm më pas, në orët në vijim, karabinierët kanë gjetur në një fushë jo shumë larg hyrjes së fshatit trupat e gruas dhe partnerit të saj, të shtrirë pranë njëri-tjetrit.

Alarmin e ka dhënë vëllai i gruas, i shqetësuar për mungesën e kontakteve me të. Kërkimet i kanë çuar autoritetet në një zonë rurale ku ndodheshin disa koshere bletësh, vend që frekuentohej nga çifti. Pranë trupave është gjetur edhe mjeti bujqësor i përdorur në sulm. Hetimet e karabinierëve vijojnë për të rindërtuar me saktësi çdo fazë të ngjarjes.

Hipotezat e para hetimore flasin për tensione personale. Burri dyshohet se kishte tentuar disa herë të rikthente marrëdhënien me ish-bashkëshorten, por pa sukses. Xhelozia, sipas të dhënave të para, mund të ketë qenë motivi i vrasjes së dyfishtë.

Të tre, me origjinë shqiptare, jetonin në Itali prej rreth njëzet vitesh. Lajmi ka tronditur thellë Cossombrato-n, ku 59-vjeçari njihej si një punëtor i palodhur. Tashmë mbetet detyrë e hetuesve të sqarojnë në detaje kohën dhe mënyrën e kësaj ngjarjeje që ka lënë të shokuar gjithë komunitetin.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco