Syri siguron foton e Ervis Matodashajt, i njohur ndryshe me nofkën “Çoke qorri”, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK si pjesë e grupit të strukturuar kriminal të drejtuar nga Inez Hajrulla në Vlorë.
Sipas burimeve, Matodashaj konsiderohet krahu i djathtë i Hajrullës, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i njohur si një nga figurat kryesore të botës së krimit në qytetin bregdetar.
Më 7 mars, gjatë një operacioni të urdhëruar nga SPAK, si Hajrulla ashtu edhe Matodashaj arritën t’i shpëtonin arrestimit. Nuk është hera e parë që dyshja i shmanget rrezikut, pasi ata kanë qenë edhe më herët objekt i atentateve të shumta.
Inez Hajrulla rezulton t’i ketë shpëtuar të paktën tre atentateve, përkatësisht në vitet 2017, 2019 dhe 2023, ku në disa raste ka qenë në shoqërinë e Matodashajt.
Në vitin 2017, ndaj Hajrullës u organizua një atentat me tritol në një lokal në Vlorë, i njohur si vend frekuentimi i Edison Harizajt, i cili u vra në Durrës në vitin 2018.
Ndërsa në vitin 2019, Hajrulla dhe Matodashaj u qëlluan me armë zjarri teksa ndodheshin në zonën e njohur si “7 pallatet Oslo”. Si pasojë e të shtënave mbeti i plagosur aksidentalisht një qytetar, ndërsa autorët u larguan duke djegur automjetin në Babicë të Vogël.
Një tjetër atentat i dyshuar u regjistrua në gusht të vitit 2023, i cili u parandalua nga Policia e Vlorës. Në atë kohë u arrestua Amarildo Nikolli, i cili u kap me armë me silenciator gati për qitje, ndërsa hetimet zbuluan se objektiv i sulmit ishin pikërisht Hajrulla dhe Matodashaj.
Porositësi i dyshuar i këtij atentati, Leonard Luzi, u ekstradua nga Spanja në korrik 2024 dhe u dënua me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO. Ai mori 11 vite burg, dënim që u ul në 7.4 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Ndërkohë, Amarildo Nikolli është dënuar me 2.9 vite burg, ndërsa Muharrem Koroveshi me 6.8 vite burg.
Autoritetet vijojnë kërkimet për kapjen e Ervis Matodashajt, i cili konsiderohet një nga personat kyç në aktivitetin e grupit kriminal në Vlorë.

Në foto Ervis Matodashaj
© SYRI.net