Policia e Lushnjës ka ndaluar një 67-vjeçar pas një kallëzimi të bërë nga një e mitur për ngacmim seksual. I ndaluari është identifikuar si Thoma Kovaçi, drejtues i një mjeti transporti të një shkolle jopublike, i cili dyshohet se ka qenë i punësuar si shofer furgoni që transportonte nxënësit.
Sipas burimeve, arrestimi është kryer mbrëmjen e 31 marsit, pas denoncimit të bërë nga familjarët e vajzës së mitur. Këta të fundit kanë ndërmarrë kallëzimin pasi e mitura u ka treguar për ngacmimin e pretenduar nga drejtuesi i mjetit që e merrte nga banesa dhe e çonte në shkollë.
'Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan shtetasin Th. K., 67 vjeç, banues në Lushnjë, pasi dyshohet se ka ngacmuar seksualisht një 16-vjeçare', thuhet në njoftimin e policisë.
Mësohet gjithashtu se e mitura është marrë në pyetje në praninë e një psikologeje, ku ka dhënë versionin e saj mbi ngjarjen, i cili ka çuar në ndalimin e të dyshuarit.
© SYRI.net