SYRI TV/ Rruga e Gjinarit shembet për herë të tretë, banorët: Rrezik izolimi për qindra familje

11:11, 31/03/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rruga që lidh fshatrat e njësisë administrative Gjinar ka pësuar shembje të konsiderueshme, duke vështirësuar kalimin e automjeteve.

Banorët paralajmërojnë izolim të zonës dhe kritikojnë mungesën e masave parandaluese. Bashkia Elbasan thotë se ndërhyrja përfundimtare do të kryhet vetëm gjatë verës.

SYRI TV

Që prej një muaji, rruga që lidh dhjetëra fshatra të njësisë administrative Gjinar, me pjesën tjetër, ka pësuar shembje të konsiderueshme. Banorët e zonës shprehen se kalimi me automjete është bërë tejet i vështirë, pasi një korsi është shembur totalisht në zonën e Liqenit të Gjinarit.

Përshkallëzimi i situatës do të çonte në izolimin e qindra banorëve. Sipas tyre, masat duhej të ishin marrë më herët, pasi kjo është hera e tretë që toka në këtë vend pëson rrëshqitje dhe dëmton asfaltin.

Nga ana tjetër, firma kontraktore ka kryer aktualisht vetëm mbushjen e çarjes në pjesën fundore të rrugës, gjë e cila nuk rezultoi efektive, pasi brenda një muaji shembja u thellua dhe u zgjerua në të gjithë korsinë, duke u kthyer në vështirësinë kryesore të jetesës së banorëve.

Sipas Bashkisë Elbasan, ndërhyrja përfundimtare, e cila përfshin disiplinimin e shtratit të liqenit dhe sistemimin e plotë të rrugës, do të bëhet e mundur vetëm gjatë muajve të verës. Deri atëherë, banorët e zonës do të duhet të përballen me vështirësitë e kalimit në këtë rrugë jetike për ta.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco