Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Kolektivi”, pas kallëzimeve të 5 punonjëseve të një subjekti parukerie, të cilat pretendonin se ishin shfrytëzuar dhe nuk ishin paguar për punën e kryer. Në pranga është vënë pronari i subjektit, ndërsa bashkëshortja e tij po procedohet penalisht në gjendje të lirë.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë ndërhyrjes u arrestua shtetasi Besmir Aliko, 41 vjeç, ndërsa për bashkëshorten e tij, shtetasen K. B., 38 vjeçe, nisi procedimi penal në gjendje të lirë.
Sipas hetimeve paraprake, çifti dyshohet se nuk u kishte dhënë pagat 5 punonjëseve të parukerisë, në një vlerë totale rreth 20 250 euro, si dhe i kishte mashtruar ato në lidhje me pagesat.
Gjithashtu, dyshohet se pajisjet me të cilat ushtrohej aktiviteti ekonomik në këtë subjekt ishin futur në vend në mënyrë të kundërligjshme, përmes kontrabandës.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme, për veprat penale: “Mashtrimi”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe i tatimeve” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar të paligjshëm.
© SYRI.net