Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin e Majlinda Bufit me 1 vit burg, dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar i zbret 1/3, ku në përfundim SPAK tha që dënimi ti konvertohet në 2 vite shërbim prove. Bufi akuzohet për përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore. Si dënim plotësues u kërkua edhe ndalimi i ushtrimit publik për 5 vite. Skandali që çoi në hetim më pas nën akuzë kryebashkiaken e majtë të Roskovecit, u denoncua nga emisioni investigativ “Piranjat” në Syri Televizion. Bufi u regjistrua duke ushtruar presion ndaj qytetarit Gazmend Boranjit, i cili ishte mbështetës i kandidatit të opozitës, dhe i kërkon që të mos shkojë të votojë, as ai dhe as familja e tij. Bufi ka përdorur situatën e tij për t’i bërë presion, pasi qytetari kishte përfituar nga programi social i bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit.
Punonjësit e IMT-së së Bashkisë Roskovec shkuan në vendin ku po ndërtohej objekti dhe i kërkuan qytetarit që të ndalonte punimet, duke pretenduar se ato ishin të paligjshme dhe jashtë ndihmës që ofronte programi social.
Më pas, qytetari është thirrur në Bashki dhe ka zhvilluar një takim me Bufin. Sipas SPAK, biseda mes tyre është “zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejkalim të ndihmës dhe se kishte kryer ndërtim pa leje”.
Gazetari i Syri tv Fatjon Gjinaj njofton se, Majlinda Bufi nuk ishte e pranishme këtë të martë për të bërë mbrojtjen në Gjykatën e Posaçme teksa avokati i tij kërkoi të marrë më tepër kohë të përgatisë mbrojtjen. Seanca u shty për më datë 3 mars në orën 11:30 ku pas kësaj, gjyqtarja Irena Gjoka do shpall vendimin.
© SYRI.net