Një muaj pas përmbytjeve të njëpasnjëshme që goditën zonën në dhjetor 2025 dhe fillim janari 2026, pasojat vijojnë të jenë të rënda në fshatin Çiflik, në bashkinë Dimal.
Fshati Çiflik është një nga zonat më të prekura, pasi u përmbyt katër herë brenda pak javësh. Dhjetëra hektarë sera, toka bujqësore dhe pemë frutore vijojnë edhe sot të jenë me prezencë uji, duke sjellë shkatërrim pothuajse total të prodhimit për banorët që jetojnë kryesisht nga bujqësia.
Sipas fermerëve, në disa sera niveli i ujit arriti deri në 1 metër, duke dëmtuar kulturat që ishin në fazën e vjeljes. Aktualisht, mbjellja e fidanëve të rinj është e pamundur pa u tharë plotësisht toka.
E njëjta situatë paraqitet edhe në tokat bujqësore, ndërsa shumë pemë frutore vazhdojnë të qëndrojnë të përmbytura.
“Edhe sot, një muaj pas përmbytjeve, serat dhe tokat janë nën ujë. Asgjë nuk mbjellim dot pa u tharë tokat. Dëmet tona janë të mëdha, s’kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti”, shprehen banorët e fshatit Çiflik.
Fermerët theksojnë se humbjet janë të pallogaritshme dhe rrezikojnë seriozisht ekonominë familjare, e cila mbështetet pothuajse tërësisht tek prodhimi bujqësor. Sipas tyre, ndonëse dëmet janë verifikuar nga strukturat përkatëse, deri më tani nuk është dhënë asnjë dëmshpërblim.
Banorët bëjnë apel për ndërhyrje dhe mbështetje financiare nga autoritetet, pasi rikuperimi i tokës dhe nisja e një cikli të ri prodhimi pritet të jetë e mundur vetëm pas 2-3 muajsh, kohë e nevojshme për tharjen e plotë të tokës.
© SYRI.net