SYRI TV/ Baks-Rrjoll, banorët përplasen me policinë, 7 të arrestuar: Do ta mbrojmë pronën tonë me gjak

14:59, 14/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

“Pronën do ta mbrojmë me gjak,” ka qenë deklarata e fortë e bërë nga banorët e Baks-Rrjollit gjatë tensioneve në protestën e kësaj të shtune. Pas përplasjeve me policinë, banorët arritën që punimet në zonë të pezullohen, ndërsa i bënë thirrje Bashkim Ulajt që të përballet me ta.

Kjo ka qenë deklarata e fortë e Prek Mollës, njërit prej banorëve të Baks-Rrjollit, të cilët prej javësh janë ngritur në protesta, duke pretenduar se po u grabiten tokat për ndërtimin e një resorti turistik. Edhe këtë të shtunë, përplasjet mes banorëve dhe policisë kanë qenë të ashpra.

Banorët u zhvendosën më pas drejt fadromave të kompanisë, duke arritur të cajnë kordonin policor. Protesta është tensionuar, ndërsa banorët kërkuan që punonjësit të ndalojnë punën, duke i detyruar që të largohen nga mjetet e rënda.

Protestuesit lëshuan deklarata të forta, duke u zotuar se pronën do ta mbrojnë me gjak. Ata shtojnë se nuk tërhiqen nga protesta, pasi janë kthyer nga emigrimi për të mbrojtur tokën e tyre.

Mes tensioneve dhe përplasjeve me policinë, banorët deklaruan se do të rezistojnë deri në fund për mbrojtjen e pronave të tyre.

Policia ka shoqëruar 7 banorë të Baks-Rrjollit në komisariat pas tensioneve që shoqëruan protestën. Një ditë më parë, Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën për pezullimin e punimeve nga kompania, ndërsa pritet që protestat e banorëve të jenë të përditshme.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco