'Baks–Rrjolli, toka jonë', Fadromat largohen pas rezistencës së banorëve, disa të arrestuar

14:29, 14/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Banorët e fshatit Baks-Rrjoll kanë vijuar që nga mëngjesi i sotëm protestat për të ndaluar punimet në tokat e tyre, duke u përplasur edhe me policinë. Pas shumë orësh rezistence dhe presioni të vazhdueshëm, ata kanë arritur që ekskavatorët të largohen nga tokat dhe punimet të ndalen përkohësisht. Megjithatë, policia ka arrestuar disa nga protestuesit, çka ka shkaktuar përplasje me të afërmit e tyre, të cilët kanë tentuar të pengojnë largimin e makinës së policisë.

Banorët theksojnë se do të qëndrojnë vigjilentë derisa të garantohet respektimi i pronës së tyre dhe ndalimi i çdo ndërhyrjeje pa pëlqimin e tyre.

Protesta e radhës masive nisi sot duke përfshirë gra, fëmijë, burra dhe të moshuar, për të mbrojtur pronat e tyre nga ndërtimi i një resorti turistik. Protesta erdhi pas vendimit të Gjykatës Administrative, e cila rrëzoi kërkesën e banorëve për sigurimin e padisë, që kishte si qëllim pezullimin e punimeve. Ata kanë paralajmëruar se do të vazhdojnë me demonstrata edhe më të forta nëse nuk gjejnë drejtësi për pronat e tyre.

Lexo edhe: Ushtarët e Prodës mbrojnë fadromat, banorët e Baks – Rrjollit në përplasje për pronat e tyre

Në nisje të protestës pati përplasje me ekspertin e gjykatës, Romeo Nazarko, të cilin banorët e akuzojnë për përgjegjësinë në çështjen e pronave. Disa ditë më parë, banorët kishin protestuar edhe para selisë së Parlamentit të Shqipërisë, duke kërkuar ndërhyrjen e deputetëve.

Banorët e Baks – Rrjollit insistojnë se nuk do të heqin dorë deri sa çështja e pronave të zgjidhet plotësisht.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco