Me 800 mijë lekë ka dalë dje nga banka e Nivelit të Dytë në Rrugën e Kavajës, 61 vjeçari Bardhyl Fusha pasi hyri I armatosur.
Policia bashkë me rojet private mundën të ndalin agresorin, i cili qëlloi me armë zjarri në dysheme në momentin që hyri në bankë për të grabitur.
Shifra u konfirmua sot nga policia.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës dhe Jetës, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, vunë në pranga shtetasin B. F., 61 vjeç, pasi dje, në rrugën “Muhedin Llagami”, ka hyrë në ambientet e një banke, me armë zjarri automatik, dhe ka marrë 800 000 lekë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e zjarrit dhe shuma e parave të vjedhura.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:20 minuta, të 12 shkurtit, kur 61 vjeçari nga një çantë që mbante në duar, nxorri armën tip kallashnikov dhe u fut brenda bankës. Nën kërcënimin e saj, kërkoi 40 milion lekë, teksa është përpjekur të negociojë me bankierët për gjysmën e kësaj shume, por përfundimisht arriti të merrte një shumë prej 8 milionë lekësh të vjetra në sportel. Rojet e sigurisë, dhanë alarmin e kuq, si dhe njoftuan policinë.
Dy patrulla policie, një e shqiponjave dhe një e rendit që ndodheshin pranë vendit të ngjarjes arritën ta neutralizojnë agresorin në hyrje, ku shfaqet duke dalë me armë në dorë dhe ngritur duart lart ku edhe iu vunë prangat.
Ai deklaroi paraprakisht në polici se ishte ndërtues dhe se veprimin e kreu për të shlyer borxhet.
© SYRI.net