Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 23 e protestës qytetare: Rama jepe dorëheqjen

SYRI TV/ Tiranë, tentohet grabitja e bankës në mes të ditës, autori hyn në bankë me kallashnikov

15:50, 12/02/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një bankë e nivelit të dytë është tentuar të grabitet në zonën e ish-Parkut në Tiranë, mesditën e kësaj të enjte. 58-vjeçari Bardhyl Fusha është futur i armatosur në filialin e një banke private në Rrugën e Kavajës dhe ka tentuar grabitjen e saj.Policia ka zbarkuar në vendngjarje dhe, bashkë me rojet private, ka mundur të ndalojë agresorin, i cili ka qëlluar me armë zjarri në dysheme në momentin që hyri në bankë për të grabitur. Ai ka deklaruar paraprakisht në polici se është ndërtues dhe se veprimin e kreu për të shlyer borxhet. Syri TV mëson se përmes kërcënimit me armë, Fusha ka negociuar me bankierët për shumën që kërkonte.

Ky është Bardhyl Fusha, 58 vjeç, i cili u vetëprezantua si sipërmarrës ndërtimi dhe u arrestua në flagrancë nga policia në dyert e një filiali të Fibank pranë zonës së ish-parkut të autobusëve. Ndërsa këto janë pamjet e arrestimit të tij, ku disa efektivë i drejtonin armën, ndërsa kolegë të tjerë i vunë prangat.

Burime pranë uniformave blu konfirmuan se Fusha ka bërë një shkrepje të armës, predha e cila ka përfunduar në dysheme, fatmirësisht pa pasoja për njerëzit.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:20, kur 58-vjeçari, nga një çantë që mbante në duar, nxjerr armën tip kallashnikov dhe futet brenda bankës. Nën kërcënimin e saj, kërkon 40 milion lekë, teksa është përpjekur të negociojë me bankierët për gjysmën e kësaj shume, por përfundimisht arrin të marrë një shumë prej rreth 9.5 milion lekësh të vjetra në sportel. Rojet e sigurisë dhanë alarmin e kuq dhe njoftuan policinë. Dy patrulla policie, një e Shqiponjave dhe një e Rendit, ndodheshin pranë vendit të ngjarjes dhe, në bashkëpunim mes tyre, arritën ta neutralizojnë agresorin, i cili shfaqet duke dalë me armë në dorë dhe duar të ngritura lart, ku iu vunë prangat.

Pak momente pas dorëzimit, u sekuestrua edhe çanta e Bardhyl Fushës, ku mbante armën dhe municionin, brenda të cilës duket edhe shuma e parave që arriti të merrte në bankë, në këtë foto të siguruar nga Syri Televizion.

58-vjeçari Bardhyl Fusha është dërguar në ambientet e Komisariatit numër 2 në Tiranë, teksa kanë nisur hetimet për të zbuluar nëse ka pasur bashkëpunëtorë apo ka vepruar i vetëm. Burime të besueshme konfirmuan se autori ka deklaruar se veprimin e bëri për shkak se ishte në borxhe:

“Jam ndërtues, për shkak të veprimtarisë time jam në borxhe me palë të treta. Nuk mund t’i shlyeja, kjo është arsyeja e kryerjes së këtij veprimi.”

Tashmë 58-vjeçari pritet të dalë para gjykatës së Tiranës për t’u njohur me akuzat e rënda dhe masën e sigurisë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco