Festim Bexhdili i është drejtuar sërish Gjykatës së Lartë, duke paraqitur rekurs kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit të datës 25 korrik 2025, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Më herët, Gjykata e Lartë kishte prishur një vendim të Apelit të Posaçëm dhe e kishte kthyer çështjen për rigjykim me një trupë tjetër gjykuese.
Sipas shortit elektronik të hedhur në shkallën e tretë të gjyqësorit, relator i çështjes është caktuar gjyqtari Ilir Panda, i cili pritet të përcaktojë datën e shqyrtimit të rekursit.
Bexhdili është shpallur fajtor për veprat penale: “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit”, kur ka sjellë si pasojë vdekjen, në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal; “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”, në bashkëpunim në formën e veçantë të grupit të strukturuar kriminal; si dhe për veprat “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
© SYRI.net