IMT e gjobit me 500 mijë lekë për gardhin me leje! Drejtori: Shko në gjykatë! Kryetari ‘ngujohet’ në zyrë

22:39, 21/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Jemi në Razëm, aty ku na pret Marije Qarri, një zonjë e cila me mund dhe sakrifica ka blerë një tokë në Alpet magjike të veriut të vendit, me shpresën për ta gëzuar fëmijët e saj nesër, por ndërkohë, në mes të betejës për të mbajtur tokën e blerë dhe me certifikatë pronësie, ajo u përball dhe me një gjobë të padrejtë të vënë nga Inspektorati Vendor i Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Malësisë së Madhe.

Gjoba në vlerën e 500 mijë lekëve të vjetra iu vu për rrethimin e tokës që gëzon me certifikatë pronësie dhe madje me një leje nga Njësia Administrative e Shkrelit.

Në leje specifikohet se kemi të bëjmë me pikën për sistemimin e oborrit dhe zëvendësimin e gardhit të vjetër me të riun, por kjo nuk i ka bindur aspak inspektorët e IMT, të cilët kanë vendosur gjobën. Ndërkohë që ditën që inspektorët e IMT zbarkuan në tokën e saj dhe nisën betejën me gardhin, edhe tre fqinjët e saj nuk qëndruan duarlidhur dhe shkulën rrjetën dhe madje kërcënuan Marijen dhe bashkëshortin e saj.

Kjo është një çështje që i përket autoriteteve, ndërsa të tre janë shoqëruar në komisariat dhe janë tashmë nën hetim. Ndërkohë që gjoba e IMT tashmë duhet paguar nga gruaja, pavarësisht se më parë kishte marrë një leje nga Njësia Administrative e Shkrelit.

Gjatë takimit që patëm me drejtorin e IMT në Bashkinë e Malësisë së Madhe, ky i fundit na e pret shkurt duke dhënë zgjidhjen më të lehtë sipas tij: atë të drejtimit drejt dyerve të gjykatës. Pra, për të nisur një betejë ligjore që zgjat dhe me vite dhe me një kosto disa herë më të lartë se gardhi, vetëm sepse në momentin e inspektimit inspektorët nuk kanë pyetur a ka apo jo një leje Marije për punimet që po kryen.

Ndërkohë që kreu i Bashkisë së Malësisë së Madhe, Tonin Marinaj, nuk denjon të japë përgjigje, duke shtyrë derën dhe u futur brenda në zyrë. Ndërsa Marija bën akuza ndaj bashkisë që, sipas saj, po i nxit në konfliktin me komshinjtë, pavarësisht se ajo disponon çdo dokument që toka është e saj. Në këto kushte lind pyetja: Kush e bën ligjin në Malësinë e Madhe? Maliqi apo e vërteta? / Piranjat

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco