Elvis Ziu, 43 vjeç, i kërkuar ndërkombëtarisht dhe i dyshuar si një nga furnizuesit kryesorë të drogës për klanin mafioz Rinzivillo të Gelas, është arrestuar më 18 nëntor në Fier, gjatë një operacioni të kryer nga Forcat Operacionale Speciale, në bashkëpunim me hetuesit italianë, pas një pune të gjatë koordinuese mes autoriteteve të dy vendeve.
Mediat italiane shkruajnë se Ziu ishte nën një urdhër arresti ndërkombëtar të lëshuar përmes ‘red notice’ të Interpolit, me kërkesë të Drejtorisë së Antimafias së Kaltanisetës. Ai akuzohet për pjesëmarrje në organizatë kriminale për trafikun e narkotikëve, mbajtje të paligjshme armësh dhe municionesh, si dhe për favorizim të Cosa Nostra-s, konkretisht familjes mafioze Rinzivillo, një nga degët më të fuqishme të krimit të organizuar në zonën e Gelas.
Operacioni “The Wall” dhe roli i Zius në trafikun ndërkombëtar
Arrestimi i tij është pjesë e operacionit të gjerë “The Wall”, i cili në shtator 2025 çoi në ndalimin e 15 personave të tjerë. Hetimi, i zhvilluar mes Sicilisë, Lombardisë dhe Shqipërisë, u mbështet në përgjime, ndjekje dhe prova të mbledhura në disa qytete italiane dhe në disa burgje ku anëtarë të grupit vijonin të komandonin aktivitetet kriminale.
Në qendër të organizatës dyshohet se ishte avokati gelas Grazio Ferrara, i pezulluar nga profesioni dhe i përfshirë më herët në operacionin “Exitus”. Baret dhe lokalet e zonës së Macchitella-s shërbenin si pika takimi për shkëmbimin e parave dhe koordinimin e trafikut të kokainës, hashashit dhe crack-ut.
Si furnizohej mafia siciliane nga Lombardia
Sipas hetuesve, Elvis Ziu luante një rol kyç: nga periferia e Milanos ai siguronte sasitë e mëdha të drogës të destinuara për tregun siçilian. Përgjimet e publikuara nga autoritetet italiane dokumentojnë komunikime të drejtpërdrejta mes Zius dhe Ferrarës, duke zbuluar një kanal furnizimi të qëndrueshëm, të mirëorganizuars dhe shumë fitimprurës për klanin mafioz.
Bashkëpunim i gjerë mes policive dhe fundi i arratisë
Operacioni u koordinua nga Shërbimi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit Policor (Scip), Zyra e Ekspertit të Sigurisë në Tiranë dhe Njësia Hetimore e karabinierëve të Kaltanisetës, me mbështetjen e vazhdueshme të Interpolit në Lion, i cili ndihmoi në gjurmimin e lëvizjeve të të arratisurit.
Arrestimi i Zius pritet të çojë në zhvillime të reja në hetimin ndaj grupit kriminal Rinzivillo, ndërsa autoritetet italiane dhe shqiptare po punojnë për procedurat e ekstradimit.
© SYRI.net