Lajmi i fundit

ÇIM PEKA LIVE/ Fitorja e protestës, turpi i intelektualëve

Durrës/ Shkatërrohet rrjeti i shpërndarjes së drogës pranë shkollave, 12 të arrestuar (EMRAT)

08:38, 21/11/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Policia e Durrësit ka finalizuar operacionin e koduar “CLEANING 3”, duke arrestuar 12 shtetas dhe duke shpallur në kërkim një tjetër. Personat e ndaluar dyshohen se janë pjesë e një rrjeti që ushtronte aktivitet të paligjshëm të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, kryesisht pranë shkollave të qytetit të Durrësit.

Ndër të arrestuarit është edhe organizatori i dyshuar i grupit, Fabrizzio Asllanaj, 30 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë gjithashtu një sërë veprash të tjera penale që lidhen me armëmbajtjen pa leje, kontrabandën dhe shkelje të ligjit tatimor. Syri.net ishte i pari që informoi, në mëngjesin e 20 nëntorit, për operacionin e ndërmarrë në Durrës për shkatërrimin e grupit kriminal që merrej me shitjen e drogës nëpër shkolla.

Të tjerët e arrestuar janë:

Blerim Oshafi, 32 vjeç

Aurel Prendi, 24 vjeç

Elkid Shehu, 19 vjeç

Taulant Dervishi, 36 vjeç

Fatmir Canollari, 31 vjeç

Greg Kamberi, 27 vjeç

Indrit Hadja, 35 vjeç

Sulejman Shahaj, 58 vjeç

Indrit Dakavelli, 38 vjeç

Mariglen Keçi, 29 vjeç

Vladimir Shehu, 20 vjeç.

Për Mariglen Keçin dhe Vladimir Shehun rëndon edhe akuza për “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”.

Ndërkohë, vijon në kërkim edhe shtetasi B. M., ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.

Gjatë operacionit u sekuestruan kokainë, kanabis, peshore elektronike, municion luftarak, armë të ftohta dhe 16 telefona celularë që, sipas hetimeve, përdoreshin në aktivitetin kriminal. Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit dhe strukturat e posaçme të Policisë.

LEXO EDHE:  Shitje droge në shkolla, policia aksion në Durrës. Arrestohen 11 persona, kapet drogë dhe vlera monetare

Njoftimi i Policisë:

Durrës / Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme kundër veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “CLEANING 3”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit.

Vihen në pranga 12 shtetas, ndërmjet tyre edhe organizatori i grupit, dhe vijon puna për kapjen edhe të një shtetasi tjetër, pjesëtar i këtij grupi.

Sekuestrohet kokainë, kanabis, peshore elektronike, municion luftarak, armë të ftohta dhe 16 aparate celular.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, si dhe me mbështetjen e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Forcës së Posaçme Operacionale të kësaj Drejtorie, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “CLEANING 3”.

Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, mbi bazën e informacioneve policore, ka ndjekur me metoda speciale të hetimit procedimin penal nr. 880, i vitit 2025, ku si rezultat i hetimeve në kuadër të operacioneve policore të koduara “CLEANING 1” dhe “CLEANING 2” janë arrestuar disa shtetas për veprën penale “Shpërndarja e lëndëve narkotike”, në afërsi apo pranë shkollave në qytetin e Durrësit.

Në kuadër të këtij procedimi penal, në vijim të hetimeve dhe provave të siguruara, është bërë i mundur zbulimi, identifikimi dhe dokumentimi ligjor i veprimtarisë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë operacionit, shërbimet policore të DVP Durrës kanë ekzekutuar urdhër-arrestet e lëshuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masë sigurie ”Arrest në burg”, për 12 shtetas të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, konkretisht:

F. A., 30 vjeç (i dyshuar si organizator). Në ngarkim të tij janë vendosur gjithashtu veprat penale: “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra me regjim të ndërmjetëm”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehja e të ardhurave”, “Moslëshimi i kuponit tatimor”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve” dhe “Punësimi i paligjshëm”.

B. O., 32 vjeç; A. P., 24 vjeç; E. Sh., 19 vjeç; T. D., 36 vjeç; F. C., 31 vjeç; G. K., 27 vjeç; I. H., 35 vjeç; S. Sh., 58 vjeç; I. D., 38 vjeç; dhe shtetasit M. K., 29 vjeç, dhe V. Sh., 20 vjeç, në ngarkim të të dyve është vendosur edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi B. M., me masë sigurie “Arrest në burg”, dhe vijon puna për kapjen e tij.

Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 doza kokainë me peshë totale 100 gramë; 620 doza lëndë narkotike marijuanë me peshë totale 1.25 kilogramë; 2 peshore elektronike; 16 telefona celularë; 3 armë të ftohta (thika); 1 përforcues grushti dhe fishekë luftarakë.

Nga hetimet dhe provat e siguruara rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në afërsi apo pranë shkollave (gjimnazeve) të qytetit të Durrësit.

Materialet procedurale, në ngarkim të personave të mësipërm, do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme hetimore dhe procedurale.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco