Në një deklaratë për mediat, avokatja Tone Lekgegaj komentoi gjendjen e 25-vjeçarit Marjan Kodheli, i cili vrau babain e tij, Pjetër Kodheli, duke e goditur fillimisht me dru dhe më pas me thikë.
Avokatja tha se Marjani nuk e kupton ende plotësisht veprimin e tij dhe se ngjarja ka qenë një akt i momentit, pa paramendim. Familja, sipas saj, ka qenë e rregullt dhe pa konflikte të mëparshme, ndërsa i riu është përshkruar si i mbyllur dhe i heshtur.
“U vendos arrestimi i ligjshëm dhe u la në burg, Marjan Kodheli. Akoma nuk është bërë një ekzaminim paraprak, ai ende nuk e kupton veprimin që ka bërë. Marjani shihet si një njeri i mbyllur dhe i heshtur, nuk e dimë se çfarë ka vuajtur ai nga brenda. Është një veprim i rëndë, ka qenë veprim i pa paramenduar nga askush.
Ka qenë një veprim i momentit. Në komunitet ka qenë një familje e rregullt dhe punëtore. I ndjeri ka qenë familjar dhe i rregullt, punëtor, që ka kontribuar për familjen e tij. Nga njerëzit kam dëgjuar se ai ka pajtuar edhe gjaqe. Mamaja e autorit dhe bashkëshortja e të ndjerit ka deklaruar se nuk kanë pasur asnjëherë konflikte. Marjani që 18 vjeç ka emigruar, ka mbaruar shkollën e mesme. Gjatë kohës që ka qenë në shkollë edhe ka punuar.
Pas moshës 18-vjeçare ka qenë emigrant, nuk e dimë se si është ndjerë ai atje. Kur është kthyer, në qershor, ka qenë një njeri i heshtur. Po priste të merrte një biletë dhe të kthehej në vendin e punës, para pak ditësh atij i kishte vdekur gjyshja. I ati i ka kërkuar të qëndrojë edhe disa ditë, i ka thënë kujdes kur vijnë njerëzit t’i presësh dhe përcjellësh. Këto fjalë atij mund të mos i kenë pëlqyer. Marjani nuk është shoqëruar asnjëherë në komisariat”, tha avokatja autorit të krimit, Tone Lekgegaj.
© SYRI.net