Pesë vite më parë, nëna e të riut Klevis Lleshi, Fatbardha Lleshi, ngriti akuza të rënda ndaj policisë dhe drejtësisë shqiptare, duke i akuzuar për heshtje dhe bashkëpunim me krimin, pas zhdukjes misterioze të të birit në qytetin e Burrelit.
Në një intervistë, ajo deklaroi me bindje se djali i saj ishte marrë dhe dorëzuar te hasmi nga shoqëria e vet, duke përmendur me emër familjen Hoxha nga fshati Shtjefën, me banim në Mamurras, me të cilën familja e saj ishte në hasmëri. Sipas saj, Klevisi kishte dalë nga banesa në orën 1 të mesditës, kishte konsumuar një kafe me miqtë e tij dhe në orën 3 telefoni i tij ishte fikur. Që nga ai moment, nuk kishte më asnjë gjurmë të tij.
“Djali im është zhdukur në mes të ditës, në mes të Burrelit. Kam pritur 8 ditë pa marrë asnjë përgjigje nga policia dhe gjykata. Policia nuk më ka kërkuar asnjëherë, ndërsa unë i jam lutur e kam pritur me orë të tëra përpara dyerve të institucioneve për të marrë informacion për djalin tim 20-vjeçar,” deklaronte Fatbardha.
Sipas saj, zinxhiri i ngjarjeve tragjike kishte nisur vite më parë. Në vitin 2013 i ishte vrarë bashkëshorti, në 2017 kunati, më pas ishte zhdukur nipi, dhe më pas djali i saj. Ajo theksoi se nga shteti shqiptar nuk kishte marrë asnjëherë përgjigje, nuk ishte ndaluar asnjë person dhe askush nuk ishte marrë në pyetje për këto ngjarje që ajo i lidh me një zinxhir hakmarrjesh.
“Unë kam heshtur, nuk kam dashur ta fus djalin në konflikt. Por tani kërkoj drejtësi. Jam gati të flijohem para kryeministrisë. Dyshoj se policia e Burrelit është bërë palë me hasmin dhe me krimin,” ishte mesazhi i saj i fortë.
SPAK ka zbardhur vrasjen e të riut Klevis Lleshi, i cili sipas hetimeve është ekzekutuar me urdhër të Aurel Hoxhës. Kjo ngjarje tronditëse ka rikthyer vëmendjen mbi deklaratat e nënës së viktimës, e cila që atëherë kërkonte një të vërtetë që, sipas saj, shteti nuk kishte dashur kurrë ta zbardhte./News24
© SYRI.net