Ministria e Brendshme Britanike nuk iu përgjigj ankesave të mjekëve, rreth shqetësimeve për shëndetin mendor të Leonard Farruku, 27-vjeçarit nga Shqipëria, i cili vdiq në anijen-burg të strehimit për azilkërkues, Bibby Stockholm.
Faktet janë bërë publike sot, pas një hetimi të nisur në lidhje me këtë ngjarje, shkruan BBC.
Në hetimin e zhvilluar u zbulua se vdekja e tij ishte shkaktuar nga ‘shtrëngimi në qafë dhe varje me litar’, sipas rezultateve të autopsisë.
Farruku jetonte fillimisht me dy kushërinjtë e tij në Mbretërinë e Bashkuar, para se të transferohej në akomodimin e ofruar nga Home Office, Clearsprings Ready Homes.
Udhëheqësja e ekipit të mbrojtjes, Nia Dowd, tha se kishte dërguar me urgjencë një email në Home Office, duke ngritur shqetësime për ‘shëndetin e tij të dobët mendor’, por nuk mori asnjë përgjigje.
Hetuesit mësuan se ai ishte më parë i akomoduar në Esplanade Hotel në Paignton, Devon, dhe kishte shfaqur sjellje agresive që nga korriku 2023, përfshirë dëmtimin e mobiljeve, bërtitjen ndaj stafit dhe përplasjen me banorë të tjerë. Në gusht, ai u raportua të kishte shfaqur ‘sjellje të reja’ duke bërë komente seksuale ndaj një gruaje.
Farruku u gjet pa ndjenja në një kabinë dushi në Bibby Stockholm në Portland Port, Dorset, më 12 dhjetor 2023.

Familjarët e tij, përfshirë motrën Marsida Keci dhe Jola Dushku, kanë pyetur se si vëllai i tyre, i cili sipas tyre kishte pasur probleme me shëndetin mendor që pas vdekjes së prindërve, u lejua të transferohej.
Zonja Dowd tha se stafi e kishte konsideruar Farrukun si person me ‘çështje serioze të shëndetit mendor’ dhe se ai kishte kërkuar fillimisht të kthehej në Shqipëri për ndihmë mjekësore, por më pas kishte ndryshuar mendim. Ai gjithashtu kishte refuzuar ofrimet për referime në shërbime të shëndetit mendor dhe nuk kishte marrë pjesë kur një ekip reagimi i parë kishte shkuar në hotel për ta ndihmuar.
Shëndeti i tij mendor duhej të vlerësohej ndërkohë që hoteli po mbyllej, por Home Office e transferoi atë në Bibby Stockholm më 3 nëntor, së bashku me disa të tjerë.
Zonja Dowd tha se kishte nënvizuar në emailin e saj përfshirjen e Farrukut në ‘shumë incidente’, por nuk kishte marrë përgjigje dhe nuk kishte mundur ta ndiqte çështjen personalisht për shkak të mungesës së saj nga puna. Ajo mësoi për vdekjen e tij vetëm përmes lajmeve në gazetë.
Kur u pyet nëse Home Office kishte kontaktuar ndonjë koleg në Clearsprings për Farrukun, zonja Doed tha: ‘Nuk besoj se dikush e bëri këtë’.
‘Nuk ishte roli im të sfidoja ndonjë vendim që ata marrin,’ shtoi ajo.
Hetimet vazhdojnë.
© SYRI.net