Eksperti i sigurisë Fatjon Softa, i ftuar në studion e A2 CNN, ngriti shqetësimin se situata e sigurisë në vend mbetet alarmante, duke theksuar se atentatet në qytete të ndryshme tregojnë mungesë kontrolli dhe rritje të kriminalitetit.
“Në shumë raste, ngjarjet janë të pazbardhura. Atentatet e vitit 2025, si ai në autostradën Fier-Vlorë, ende nuk kanë autorë. Krimi është problem shqetësues dhe nuk mund të shihet me logjikën e kryeministrit ‘hëngshin kokat e njëri-tjetrit’, pasi pasojat i vuajnë qytetarët e thjeshtë”, u shpreh Softa.
Ai shtoi se shpesh viktima të atentateve bëhen banakierë apo kalimtarë të rastit, ndërsa theksoi se kontrolli i territorit vazhdon të mbetet një sfidë. “Nevojiten masa më të forta, por nuk do t’i kemi nëse vëmendja fokusohet vetëm te Policia e Shtetit”, tha eksperti.
Nga ana tjetër, avokati Alban Qafa theksoi se problemi nuk qëndron te Kodi Penal, por te mungesa e zbatimit të tij nga Prokuroria dhe Gjykatat.
Softa:
Në shumë raste, ngjarjet janë të pazbardhura. Atentatet e vitit 2025, siç është rasti i atentatit në autostradën Fier-Vlorë, nuk kemi ende autor. Ngjarjet e rënda tregojnë sërish se krimi është problem shqetësues.
Nuk është ajo që tha kryeministri “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”, pasi krimi është shqetësim për qytetarët e thjeshtë.
Në çdo atentat kemi viktima banakierë, kalimtarë të rastit...
Kontrolli i territorit vazhdon të jetë problem shqetësues. Si i tillë, kërkon masa më të forta, por nuk do t’i kemi nëse i kthejmë sytë vetëm nga Policia e Shtetit.
© SYRI.net