Zona e Labinotit në Elbasan është e njohur për mbarshtimin e bletëve, por vera e nxehtë e këtij viti nuk ka qenë e lehtë për ata që merren me këtë aktivitet. Musa Bica është një prej tyre, i cili tregon se sëmundjet si varjetoza dhe Pesta Amerikane e kanë dëmtuar shumë gjatë këtij viti. Ai shprehet se duhet më shumë koordinim për të luftuar sëmundjet e bletëve, ndërsa shton se mbështetja e shtetit është e papërfillshme.
SYRI TV
I nxehti i këtij viti ka shkaktuar problematika të shumta e dëme tek bletët në zonën e Labinotit, duke ndikuar në pjellorinë, por dhe në sëmundjet.
Bletari Musa Bica, i cili prej vitit 1960 merret me kujdesin dhe mbarshtimin e bletëve, shprehet se gjatë këtij viti, sëmundje si varjetoza, por dhe Pesta Amerikane kanë goditur bletët. Ai thekson se për këto sëmundje, kurimi duhet të bëhet njëkohësisht nga të gjithë bletarët, por koordinimi mungon.
Musai shprehet se problematike mbetet konkurrenca e pa drejtë, pasi shumë bletarë, të cilët kanë prodhim të shumtë, e përziejnë me shërbet dhe e nxjerrin në treg me një çmim më të ulët, por që nuk është aspak e mirë për shëndetin.
Ai thekson ndër të tjerë se është kënaqësi të kujdesesh për bletët dhe nëse ka prodhim të mbarë, ia vlen të punosh, por të rinjtë në profesion, kohët e fundit, nuk dinë të kujdesen si duhet për to dhe shpesh nuk marrin rezultat.
Nga shteti, bletari shprehet se kanë mundësi të marrin vetëm 10 mijë lekë të vjetra për koshere, por që sipas tij është e pamundur të përballosh shpenzimet për bletët e koshereve, të cilat janë të shumta, ndërsa shton se ky çmim është më i ulët se në Kosovë, ku qeveria jep 30 mijë lekë të vjetra për koshere.
© SYRI.net