SYRI TV/ Vlorë, shemben 26 banesa në lagjen '1 maji', banorët kundërshtojnë aksionin e IKMT

17:20, 22/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka nisur shembjet e objekteve në lagjen “1 Maji” në Vlorë, për t’i hapur rrugë ndërtimit të portit të ri të jahteve në këtë qytet. Pronarët e banesave kanë kundërshtuar ndërhyrjen, pasi nuk janë të kënaqur me vlerën e shpronësimit që u është ofruar.

Gjatë aksionit u vu re edhe standardi i dyfishtë i përdorur nga IKMT, duke e krahasuar rastin e Vlorës me atë të Thethit. Në kryeqendrën turistike të veriut, drejtori i shembjeve të IKMT-së, Fatmir Meta, përdori fjalor banal dhe nuk u dha kohë banorëve të merrnin as rrobat e trupit nga pronat e tyre. Ndërkohë, në Vlorë, i njëjti zyrtar ka ndaluar shembjen e një banese deri në gjetjen e një zgjidhjeje dhe madje ka bërë thirrje për të shmangur përdorimin e fjalorit të rëndë.

Shembjet në lagjen “1 Maji” janë pjesë e projektit për ndërtimin e rrugës së re që të çon në Portin e Vlorës. Por banorët kanë kundërshtuar aksionin e IKMT-së, duke refuzuar të largohen nga banesat e tyre. Ata akuzojnë shtetin se po u zapton pronën dhe theksojnë se vlera e kompensimit është qesharake dhe e pamjaftueshme për të blerë një shtëpi të re.

Edhe pse një pjesë e banorëve në Vlorë janë kompensuar, ata sërish kanë kundërshtuar shembjet. Krahasuar me Thethin, sjellja e shtetit ndaj tyre duket të jetë në një standard krejt tjetër.

Për realizimin e projektit të portit të ri të jahteve janë shembur deri tani 12 banesa, ndërsa pritet të shemben edhe 26 të tjera. Një pjesë e banorëve kanë marrë kompensim në vlerën e 26 milionë lekëve, ndërsa të tjerë nuk përfitojnë, pasi nuk kanë certifikatë pronësie, duke mbetur kështu në qiell të hapur.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco