Flakët rrethojnë veriun: Zjarri në Fushë-Arrëz kërcënon banesat, kërkohet ndërhyrje nga ajri

Flakët rrethojnë veriun: Zjarri në Fushë-Arrëz kërcënon banesat, kërkohet ndërhyrje nga ajri

21:13, 21/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Situata e zjarreve rëndohet në veri të vendit. Tre vatra zjarri u raportuan pasditen e sotme në zonën e Fushë-Arrëzit, qarku i Shkodrës. Pas dy të parave në Njësinë Blerim, është shfaqur një tjetër vatër zjarri pasdite vonë në pyjet pranë fshatit Kryezi, Njësia Qada e Malit, që kërcënon edhe banorët sipas autoriteteve vendore. Më parë u ndezën zjarret në Kulumri.

Bashkia Fushë-Arrëz bëri thirrje për ndërhyrje të menjëhereshme nga ajri.

Vatrat përhapen me shpejtësi për shkak të flakëve, edhe pse shumë forca janë në aksion. Ndërhyrja nga toka cilësohet tepër e vështirë dhe në kryezi e pamundur, pasi flakët kanë dalë jashtë kontrollit.

Kreu i Pyjores, Artmir Doda, u shpreh se situata është e vështirë dhe kërkoi ndihmën e Ushtrisë dhe banorëve. Ai tha se janë 3 vatra aktive që po djegin sipërfaqe me bimësi, pyje e kryesisht pisha. "Zjarri në Kryezi favorizohet nga era dhe rrezikon banesat, kërkojmë ndihmë për të shuar flakët dhe shpëtuar jetët. Dyshojmë se është zjarr i qëllimshëm", tha ai. Janë riaktivizuar sërish vatrat e zjarrit në afërsi të Kurores së Dardhës në Shkodër.

Dy vatra kanë dalë jashtë kontrollit. Vatrat e zjarrit janë në afërsi të Lumit të Trunit dhe pranë Kulumrisë. Kreu i Emergjencave të Fushë Arrëzit, tha nga terreni ku ndodhej për shuarjen e flakëve, se ndodheshin në fshatin Kryezi sepse vatra e zjarrit është e fuqishme dhe rrezikon jetët e banorëve. Ai apeloi për ndihmë nga ajri. "Siç e shikoni, flakët janë jashtë kontrollit dhe nga toka nuk veprohet dot. Duhet ndërhyrje nga ajri, shpresojmë të vijë dhe të shpëtojmë njerëzit", tha ai.

Krahas forcave të aktivizuara nga bashkia po vepron dhe një helikopter. Dy mjete zjarrfikese i janë bashkuar forcave të angazhuara nga toka. Një zjarr ka rënë edhe në Cërrik, qarku Elbasan, ditën e sotme, ku janë përfshirë nga flakët disa shkurre. Deri më tani nuk dihet përmasa e zjarrit, por si pasojë zjarrit është përhapur një tym i madh në zonë. Ndërkohë që në vendin ku ka rënë zjarri ka shkuar zjarrfiksja.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco