Pas 10 orësh i zhdukur, ish-zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, u rishfaq me pretendimin se ishte larguar me dëshirë pas një zënke me të dashurën. Shima, i konsideruar si dëshmitari kyç në aferat korruptive të AKSHI-t, ku dyshohet të jenë të përfshirë edhe familjarë të kryeministrit, u denoncua në polici si i zhdukur nga familjarët, duke ngritur alarmin për një rrëmbim të mundshëm.
Ai deklaroi se ishte larguar drejt Jugut, ndërsa kamerat e sigurisë identifikuan automjetin e tij duke lëvizur në drejtim të qytetit të Elbasanit.
Një vit pas denoncimit të Arben Ahmetajt, dhënë ekskluzivisht në emisionin “Çim Peka Live”, familjarët e ish-zv.drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima, paraqitën kallëzim në Policinë e Tiranës për zhdukjen e tij. Një telefonatë e Shima-s drejtuar familjarëve, ku pretendonte se po arrestohej nga Policia, i alarmoi ata. Menjëherë u paraqitën pranë Komisariatit nr. 1 për të mësuar arsyen e arrestimit, por pas kontaktit me oficerin e gatshëm, u mësua se Shima nuk ishte arrestuar nga Policia dhe se ai kishte humbur çdo kontakt.
Dyshimet e para çuan drejt një skenari rrëmbimi nga persona që ai vetë i kishte identifikuar më herët si punonjës policie. Zhdukja e tij për 10 orë tronditi opinionin publik, duke vënë nën presion qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama, për shkak të aferave të shumta të denoncuara në lidhje me AKSHI-n.
Por pas 10 orësh, Daniel Shima u rishfaq, duke pohuar se ishte larguar me dëshirë pas një konflikti me të dashurën. Në media u përhap fillimisht pretendimi se ai kishte udhëtuar drejt Jugut. Megjithatë, nga hetimet e Policisë së Shtetit dhe pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë, rezultoi se automjeti i tij ishte parë në Rrugën e Elbasanit dhe më pas duke hyrë në qytetin e Elbasanit një itinerar i ndryshëm nga ai që u raportua në fillim.
Shima u mor në pyetje nga SPAK një vit më parë në lidhje me disa afera korruptive në AKSHI, të denoncuara fillimisht nga Arben Ahmetaj dhe më pas të ndjekura nga investigime mediatike. Në këto dosje dyshohet se janë të përfshirë edhe familjarë të kryeministrit Edi Rama. Për shkak të njohurive dhe raportimeve që ka bërë në Prokurori, Shima konsiderohet një nga dëshmitarët kyç të hetimeve. Ai u shkarkua nga detyra menjëherë pas dëshmisë, dhe që nga ajo kohë emri i tij është përmendur shpesh në media.
Burime të tjera përmendin se Shima mund të jetë nën mbrojtjen e Gardës së Republikës, por këto informacione mbeten të pakonfirmuara deri në një deklaratë zyrtare nga institucionet përkatëse.
© SYRI.net