Policia italiane ka arrestuar një shtetas shqiptar 30-vjeçar, i kapur në flagrancë gjatë një akti zhvatjeje të rënduar ndaj ish-punëdhënësit të tij.
Hetimi nisi pas kallëzimit të një sipërmarrësi vendas në sektorin bujqësor, i cili deklaroi se ishte viktimë e zhvatjes së vazhdueshme nga ish-punëtori i tij. Sipas denoncimit, shqiptari i kishte kërkuar para në mënyrë të përsëritur për më shumë se dy vite, duke kërcënuar me pasoja fizike dhe dëmtim të mjeteve të punës nëse nuk paguhej.
Shumat e kërkuara luhateshin nga 2.500 deri në 4.000 euro, dhe kërkesat përsëriteshin çdo 30 deri në 40 ditë. Autoritetet organizuan një operacion të posaçëm për të ndjekur nga afër dorëzimin e kontrolluar të shumës prej 1.400 eurosh, që ishte kërkuar së fundmi nga i dyshuari.
Operacioni u zhvillua pranë një parkingu afër një lokali të njohur në provincën e Raguzës. Agjentët e skuadrës hetimore dhe të policisë shkencore dokumentuan të gjitha fazat e dorëzimit të parave.
Menjëherë pas marrjes së shumës, shqiptari u ndalua dhe u arrestua në flagrancë për veprën penale të zhvatjes së rënduar.
Pas përfundimit të procedurave ligjore, i arrestuari u dërgua në burgun e Raguzës, ku ndodhet në dispozicion të Prokurorisë pranë Gjykatës së Raguzës.
© SYRI.net