Një skandal ka përfshirë Spitalin Rajonal të Fierit, ku prej më shumë se dy muajsh, pacientët me kancer nuk marrin trajtimin jetik me kimioterapi. Mungesa e medikamentit Gemcitabine ka lënë dhjetëra pacientë në mëshirë të fatit, ndërsa drejtuesit e spitalit nuk japin asnjë afat për zgjidhje. Denoncimi është bërë nga familjarët e pacientëve, ndërsa mungesa e medikamentit është pranuar nga spitali Fier.
SYRI TV
Në Spitalin Rajonal të Fierit, prej më shumë se dy muajsh nuk kryhet kimioterapia për pacientët me sëmundje tumorale. Shkaku është mungesa e medikamentit jetik Gemcitabine 1 gr, një fakt i konfirmuar jo vetëm nga pacientët dhe familjarët e tyre, por edhe nga vetë drejtoria e spitalit.
Astrit Hasani, aktor në qytetin e Fierit, ka denoncuar publikisht situatën e vëllait të tij, Enver Hasani, 76 vjeç, i cili prej dy vitesh vuan nga kanceri në pankreas. Ai thotë se për afro dy muaj, vëllai nuk ka marrë trajtimin e nevojshëm, dhe gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar ndjeshëm.
Ai thotë se deri tani i kanë blerë privatisht, ndërsa spitali prej dy muajsh nuk i jep medikamentin e nevojshëm për kimio. Ai ngre dyshime se mund të jetë krijuar një skemë korrupsioni për të blerë medikamentin në spitale.
Burime brenda spitalit pohojnë se mungesa e medikamentit lidhet me dyfishimin e numrit të pacientëve, një situatë që nuk është parashikuar në planifikimin e furnizimeve.
I kontaktuar nga Syri TV, drejtori Arben Voja konfirmon mungesën e medikamentit dhe thotë se është bërë kërkesa për furnizim, por nuk jep asnjë afat për zgjidhjen e problemit.
Mungesa e medikamenteve bazë po rrezikon jetën e pacientëve me kancer, duke shënuar një tjetër skandal në sistemin shëndetësor nën drejtimin e qeverisë Rama.
© SYRI.net