Skena tmerri u regjistruan mesditën e sotme në autostradën Egnatia, në drejtim nga Komotina drejt Ksantisë, rreth 300 metra nga pika e pagesës në Iasmo.
Pamjet që vijnë nga vendngjarja pas aksidentit të rëndë, tregojnë se, përplasja ka qenë mjaft e fuqishme. Aksidenti i rëndë automobilistik me 3 shqiptarë të vdekur ndodhi pasi një kamion i drejtuar nga një shtetas bullgar u përplas frontalisht me një veturë në të cilën udhëtonin katër shtetas me origjinë shqiptare nga veriu i Shqipërisë.
Nga përplasja e fuqishme shpërtheu një zjarr i madh, duke bërë që tre nga pasagjerët e veturës të digjeshin për vdekje në vendngjarje. Viktimat janë një burrë 59 vjeç (shoferi), dhe dy pasagjerë, një 61-vjeçar dhe një 57-vjeçare. Një grua 49 vjeçare arriti të shpëtojë dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën në spitalin e Komotinës, por në gjendje shoku.
Autoritetet greke nuk kanë dhënë ende një version përfundimtar për shkakun e aksidentit. Një nga pistat që po hetohet është nëse veturat kanë qenë të ndaluara në anë të rrugës në zonën e emergjencës. Ky është edhe skenari më i mundshëm sipas burimeve të Policisë.
Zjarri që shpërtheu si pasojë e përplasjes, përfshiu jo vetëm automjetet, por edhe tokat përreth autostradës. Pas një operacioni të shpejtë, zjarrfikësit arritën të shuajnë flakët dhe të nxjerrin tre trupat e pajetë nga vetura e djegur. Trupat u transportuan nga autoambulanca e EKAV në spital.
Për disa orë, trafiku në segmentin ku ndodhi aksidenti u devijua drejt rrugës kombëtare Komotinë – Porto Lagos – Ksanti, deri në orën 15:45, kur rruga u hap sërish për qarkullim.
Policia, shërbimi zjarrfikës dhe forcat e mbrojtjes civile vazhdojnë hetimet në vendngjarje.
© SYRI.net