Gramshi vijon në flakë, digjen 42 banesa dhe 80 koshere bletësh në Skënderbegas, rrezik edhe për zonat përreth

Gramshi vijon në flakë, digjen 42 banesa dhe 80 koshere bletësh në Skënderbegas, rrezik edhe për zonat përreth

09:19, 14/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zjarret në zonën e Gramshit vijojnë prej tre ditësh, ku flakët e mëdha kanë djegur 42 banesa në Skënderbegas dhe 80 koshere bletësh. Gjithashtu njoftohet se 130 krerë bagëti të imta dhe gjedhë janë djegur në flakët apokaliptike që mbuluan zonën.

Mbrëmjen e djeshme, vatrat e zjarrit në territorin e Bashkisë Gramsh kanë vijuar me intensitet të lartë, duke përfshirë fshatin Ermenj (Njësia Administrative Skënderbegas) dhe zonën e Teqesë së Dushkut, ku raportohen ende disa vatra aktive.

Sipas autoriteteve lokale, ekipet e emergjencave civile po përballen me vështirësi të mëdha për izolimin e flakëve për shkak të dendësisë së lartë të pyllit. Aktualisht, vijon djegia në pjesën e sipërme të fshatit, në krahun lindor, dhe ekziston rreziku që zjarri të shtrihet në territorin e Prefekturës Korçë, nëse nuk vihet nën kontroll.

Gjatë orëve të vona të mbrëmjes dhe mëngjesit të sotëm, është punuar për izolimin e zjarrit në pyllin me pisha në drejtim të fshatit Nartë, ku është arritur ndërprerja e përparimit të flakëve.

Njësia Administrative Kukur: Vatra mbetet problematike, por ekipet kanë arritur të vendosin nën kontroll një pjesë të saj gjatë natës.

Njësia Administrative Kodovjat: Vatra është monitoruar dhe nuk janë shënuar riaktivizime gjatë orëve të fundit.

Bilanci paraprak i dëmeve

Sipas të dhënave zyrtare:

42 banesa janë djegur në Skënderbegas dhe fshatra të tjerë përreth.

Janë humbur:

130 krerë bagëti të imta

22 gjedhë

1 thundrak

80 koshere bletësh

shumë shpendë

Autoritetet kanë nisur procesin e groposjes së kafshëve të ngordhura, për të shmangur rrezikun e ndonjë epidemie, ndërsa shërbimi veterinar po kryen procesverbalet përkatëse.

Numri i të evakuuarve është rritur në 46 persona, pas akomodimit të 6 banorëve të tjerë mbrëmjen e kaluar në konviktin shtetëror, përveç 40 të evakuuarve një ditë më parë.

Në operacionin e emergjencës janë angazhuar:

50 forca të ushtrisë

7 mjete zjarrfikëse

200 vullnetarë

Zona më të prekura

Rreth 10 fshatra janë prekur nga zjarret, ndërsa në Bletëz dhe Shëmbërdhenj, nuk ka mbetur asgjë pas – dëmet janë tërësisht shkatërruese.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco