500 të mitur shqiptarë pa prindër në Itali: emigrimi nga një vend i sigurt si Shqipëria në raportin e Ministrisë Italiane.
Nga Alba Kepi
Në listën e gjatë të të miturve të huaj të pashoqëruar (MSNA) që gjenden në qendrat e strehimit në Itali, Shqipëria zë një vend të pazakontë.
Nuk është një vend në luftë, nuk ka konflikte të armatosura, është kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Megjithatë, raporti gjashtëmujorit të parë 2025, i sapo publikuar nga Ministria Italiane e Çështjeve Sociale informon se deri më 30 qershor 2025 janë 500 të mitur shqiptarë të pranishëm në Itali, duke e renditur vendin e 8-të për nga numri, pas Egjiptit, Ukrainës, Gambias, Tunizisë, Guinesë, Bangladeshit dhe Bregut të Fildishtë.
Nga viti 2019 deri në fund të 2024, numri i të miturve shqiptarë në Itali është ulur me mbi 900 individë. Vetëm në gjysmën e parë të 2025 ka pasur një rënie me 86 raste.
Por Shqipëria, pavarësisht uljes së numrave, renditet ndër kombësitë me përqindjen më të lartë të vendimeve pozitive për leje qëndrimi ose masa mbrojtjeje ndaj minorëve që emigrojnë pa prindër; 458 raste në gjashtëmujorin e parë të vitit, që përbëjnë 13% të totalit kombëtar.
Autoritetet italiane kanë kërkuar verifikime të gjendjes familjare për dhjetëra të mitur shqiptarë, për të përcaktuar nëse ekziston mundësia e rikthimit të sigurt në vendlindje, duke synuar parandalimin e abuzimit me statusin e “të pashoqëruarit”.
Shkaqet e këtij fenomeni variojnë nga mungesa e mundësive ekonomike e sociale në Shqipëri, deri te përdorimi i statusit të të miturit të pashoqëruar si mekanizëm për emigrim ekonomik të ligjshëm, strategjitë familjare për integrim të shpejtë në tregun italian të punës dhe, në disa raste, përfshirja në rrjete shfrytëzimi ose aktivitete të paligjshme.
Ky fenomen shënon një dështim të dyfishtë: të Shqipërisë, që nuk arrin t’u krijojë të rinjve arsye të mjaftueshme për të qëndruar, dhe të Italisë, që shpesh nuk arrin të dallojë midis mbrojtjes reale humanitare dhe emigrimit ekonomik të maskuar.
© SYRI.net