Banorë të lagjes “Xhermëhallë” në Delvinë, kanë rrëfyer tmerrin që kanë kaluar gjatë mbrëmjes së kaluar, por që ende nuk ka mbaruar, pasi zjarri është përsëri aktiv në disa vatra.
Banorët japin dëshmi të frikshme, se si zjarri u përhap, duke rrezikuar jo vetëm banesat, por edhe vetë ata.
" Na u afrua zjarri mbi shtëpi, erdhi policia na largoi nga vdekja. Megjithatë zjarri është nën kontrroll, po vazhdon akoma nga pjesa andej, këto qenë të të papritura ç’të themi. Jo jo shtëpia ime shpëtoi. Përjetuam llahtar sikur qe luftë me zjarrin me erën. Keq më vjen u dogj gjithë kjo pasuri. Mos ndodhtë më kurrë’, shprehet një prej banorëve.
Një tjetër tregon se si 100 rrënjë ullinj shekullorë janë djegur si pasojë e zjarrit katastrofik, që preku zonën, teksa hodhi akuza ndaj institucioneve për neglizhencë.
"100 rrënjë ullinj shekullorë. Na lanë asnjeri s’erdhi as... s’na e varën fare këtë radhë. Panik, merrej vesh, zjarri këndej , joo s’kishim parë ndonjëherë …".
Tregimet e banorëve janë të shumta, teksa një prej tyre thotë se së bashku me miqtë e tij kanë ndihmuar forcat e Policisë Bashkiake dhe të Shtetit për të shtua flakët që po përparonin drejt zonave të banuara.
"Zjarri arriti andej nga krahu matanë, me tubo me tubo me tubo uji bashkë me këtë shokun tim, me tubo me kova uji edhe me ndihmën e policisë bashkiakë , policisë së shtetit ata po që erdhën hoqën gjithë të moshuarit gjithë të sëmurët..."
‘Një natë të vështirë’, e kanë cilësuar banorët, situatën me zjarret apokaliptike në Delvinë, teksa nuk ngurrojë të tregojnë se si flakët dogjën banesat.
"Një natë shumë shumë e vështirë për lagjen tonë, u dogj një pyll aq i bukur këtu lartë sa nuk e merrni dot me mënd. Zjarri mbërriti deri poshtë u dogjën e nga dy tre shtëpi. Edhe të them atë që duhet thënë asnjë zjarrfikës, asgjë nuk erdhi njerëzit me tubo dhe me kova uji."
© SYRI.net