Katër persona janë arrestuar në Berat, pasi ndezën zjarr në lagjen “Uznovë” dhe në fshatrat Osmëzezë dhe Drenovicë. Të arrestuarit janë Shefqet Dodoveci, 49 vjeç, Zaçe Merkaj, 56 vjeç, Safet Manaj, 53 vjeç, dhe Lefter Begaj, 56 vjeç.
Nga videoja e publikuar nga policia, shihet se një nga zjarrvënësit është kapur nga kamerat e sigurisë. Ndërkohë, materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të Policisë, u identifikuan dhe u vunë në pranga 4 autorët e zjarrvënieve në lagjen “Uznovë” dhe në fshatrat Osmëzezë e Drenovicë. Si pasojë e zjarreve u rrezikuan banesa dhe sera, si dhe u dogjën sipërfaqe toke dhe pemë frutore.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Berat arrestuan shtetasit:
Sh. D., 49 vjeç, banues në lagjen "Uznovë", pasi dyshohet se ndezi zjarr në këtë lagje, ku si pasojë u rrezikuan banesa dhe u dogj një sipërfaqe toke;
Z. M., 56 vjeç, banues në fshatin Osmëzezë, pasi dyshohet se ndezi zjarr në tokën e tij në këtë fshat, ku si pasojë u dogjën sipërfaqe toke dhe pemë frutore në pronësi të dy shtetasve.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Dimal arrestuan shtetasit S. M., 53 vjeç, dhe L. B., 56 vjeç, të dy banues në fshatin Samatic, pasi dyshohet se ndezën zjarre në fshatin Drenovicë, ku u dogjën pemë ulliri dhe u rrezikua djegia e disa serave.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme. Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon sërish te të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me pasoja penale. Policia fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 çdo rast të kësaj veprimtarie kriminale dhe të paligjshmërisë në përgjithësi, duke garantuar anonimat, reagim të shpejtë dhe të paanshëm.
© SYRI.net