Vijon situata kritike e zjarreve në Gramsh, flakët kërcënojnë zonat rurale të Korçës dhe Teqen e Dushkut

Vijon situata kritike e zjarreve në Gramsh, flakët kërcënojnë zonat rurale të Korçës dhe Teqen e Dushkut

11:34, 13/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Zjarret që kanë përfshirë prej dy ditësh territorin e bashkisë Gramsh kanë marrë përmasa alarmante, duke shkrumbuar qindra hektarë pyje, kullota dhe sipërfaqe të banuara. Sipas të dhënave zyrtare, situata mbetet kritike, sidomos në disa fshatra, ku ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon me intensitet të lartë për të frenuar përhapjen e flakëve.

Zona më e goditur aktualisht është fshati Menkollar, ku flakët po përhapen me shpejtësi të madhe për shkak të erës dhe terrenit të thyer. Në terren ndodhen tre mjete zjarrfikëse, forca të shumta të ushtrisë, zjarrfikësve, banorë dhe vullnetarë, ndërsa dy helikopterë janë aktivë duke kryer hedhje të njëpasnjëshme uji për të mbrojtur zonën nga përhapja në drejtim të fshatit Nartë.

Në Skënderbegas, situata është përkeqësuar sërish për shkak të riaktivizimit të flakëve, të cilat kanë përfshirë një lagje pranë gjimnazit të fshatit. Banorët janë evakuuar, ndërsa ekipet e emergjencës po përpiqen të shpëtojnë çdo banesë dhe strukturë të mundshme.Një tjetër vatër e rrezikshme është regjistruar pranë fshatrave Ermenj dhe Koshnicë, ku flakët janë afruar shumë pranë zonave të banuara.

Ka shqetësime serioze se nëse nuk frenohet përparimi i zjarrit, flakët mund të kalojnë drejt fshatrave të Qarkut të Korçës. Për këtë arsye, është vendosur në veprim një helikopter i tretë, për të ndihmuar operacionet në këtë zonë. Një tjetër vatër serioze është regjistruar në zonën e Teqesë së Dushkut, ku sipërfaqe të mëdha me pyje dhe kullota vazhdojnë të digjen.

Në këtë zonë ndodhen edhe 12 punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura Elbasan, të pajisur me pompa uji dhe lopata, të cilët prej fillimit të javës kanë qenë aktivë në mbrojtje të zonës pyjore dhe Teqesë historike pranë liqenit të Dushkut, e cila është në rrezik të drejtpërdrejtë nga flakët.

Në zonën mbi fshatin Kodovjat, pranë Posnovishtit, situata është më e qetë për momentin. Megjithatë, forcat në terren vijojnë monitorimin intensiv, për të parandaluar çdo riaktivizim të mundshëm të zjarreve. Aktualisht në këtë zonë janë të angazhuara 6 mjete zjarrfikëse dhe rreth 55 trupa të ushtrisë, ndërsa priten përforcime nga bashkitë fqinje.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco