Policia e Vlorës ka goditur një rast të rëndë shfrytëzimi të shtetaseve të huaja për prostitucion, duke zbuluar një apartament ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme.
Pas hetimeve, janë identifikuar dhe proceduar penalisht disa shtetas të huaj, ndërsa një shtetase kineze është shpallur në kërkim si organizatore e veprimtarisë kriminale.
Në vijim të hetimeve, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë kanë zbuluar apartamentin e marrë me qira në lagjen “Uji i Ftohtë” në Vlorë, ku dy shtetase kineze, Q. Zh. (49 vjeçe) dhe X. L. (42 vjeçe), ushtronin prostitucion kundrejt pagesës.
Të dyja janë proceduar penalisht për veprën penale “Ushtrimi i prostitucionit”.
Njoftimi i policisë:
Goditet një rast i shfrytëzimit të shtetaseve të huaja për prostitucion.
Identifikohet dhe shpallet në kërkim një shtetase kineze, e dyshuar si organizatore e veprimtarisë kriminale.
Zbulohet apartamenti ku ushtrohej prostitucioni, procedohen penalisht 2 shtetase të tjera të huaja që ushtronin këtë veprimtari kundrejt pagesës.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Vlorë, në vijim të punës për goditjen e rasteve të shfrytëzimit të prostitucionit, bazuar edhe në informacionet e siguruara, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kësaj veprimtarie kriminale, në një apartament të marrë me qira në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.
Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast:
• u shpall në kërkim shtetasja kineze M. Y., 36 vjeçe, e dyshuar për veprën penale “Trafikimi i personave të rritur”;
• u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset kineze Q. Zh., 49 vjeçe, dhe X. L., 42 vjeçe, të dyshuara për veprën penale “Ushtrimi i prostitucionit”, pasi ushtronin këtë veprimtari kundrejt pagesës;
• u proceduan penalisht edhe shtetasi A. D., 38 vjeç, dhe shtetasi italian M. F., 25 vjeç, pasi u konstatuan në ambientet ku ushtrohej prostitucioni, në rolin e klientëve.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetases së shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
© SYRI.net