Ndërsa intensiteti i flakëve ka shënuar një rënie të lehtë, përhapja e zjarreve në zonat rurale përreth mbetet shqetësuese. Burime zyrtare bëjnë me dije se një vatër e re është regjistruar pranë pyllit që ndodhet afër Liqenit të Dushkut, duke rritur ndjeshëm rrezikun për këtë zonë me rëndësi ekologjike.
Zjarre të reja janë përhapur gjithashtu në disa fshatra në zonën mes Gramshit dhe Skraparit, veçanërisht në pjesën e Tomoricës. Sipas të dhënave nga terreni, flakët kanë kaluar përtej lumit të Verçës dhe janë përhapur drejt fshatrave mbi Kodovjat dhe Postovisht, informon gazetarja e Syri Tv
Nga Komisariati i Policisë së Gramshit është konfirmuar se, fatmirësisht, nuk ka një viktimë të dytë nga kjo situatë.
Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 80 efektivë të zjarrfikëses nga Elbasani dhe Gramshi. Ndihmë të rëndësishme kanë dhënë edhe mbi 300 vullnetarë nga komuniteti lokal, të cilët janë angazhuar në terren që nga mbrëmja e djeshme.
Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën nga afër dhe bëjnë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim nga banorët e zonave të prekura.
© SYRI.net