Shqipëria po përballet me një situatë alarmante, pasi zjarret kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe shqetësim të thellë tek komunitetet e prekura.
Banorët denoncojnë reagimin e vonuar të autoriteteve dhe mungesën e infrastrukturës emergjente, që kanë rritur ndjeshëm indinjatën dhe revoltën e tyre.
Një banore nga Skënderbegasi në Gramsh rrëfen për mediat se ndihma institucionale ka ardhur me vonesë kritike:
“Që dje atje lart ka qenë flaka. Policia ka ardhur sot në orën 9:00 të mëngjesit. Kush del nga bashkia jonë, kanë ardhur kot sot, ata erdhën pasi u përvëluam. A jam dëmtuar? Kam punuar gjithë jetën për atë shtëpi dhe ika se u përvëluam. Përse nuk erdhën dje avionët, erdhën sot. Tetë avionë mbushën një kovë me ujë dhe ikën. E di sa janë djegur atje në fshatin tonë? Janë djegur gjithë ata që kanë punuar një jetë të tërë.”
Një tjetër banor i zonës thekson se distanca nga rruga kryesore deri te shtëpitë ishte shumë e vogël, por ndihma nuk mbërriti në kohë për t’i shpëtuar nga zjarri:
“Nuk ishin as 50 metra larg dhe nuk erdhën. Ishin vetëm 4 familje. Atje është një familje akoma. 50 metra ishin nga rruga dhe nuk u mbrojtën.”
Dëmet ekonomike janë të mëdha dhe banorët janë detyruar të largohen vetëm, pa asnjë ndihmë:
“U largova vetë, se s’kemi ujë. E kam motër atë gruan që foli dhe banesa ime është djegur komplet. 100 milionë lek shtëpi është dëmtuar. Kam dhe bagëti, edhe i lamë mbyllur atje. Unë do shkoj të fle atje. Janë djegur 100 milionë lekë.”
Situata mbetet kritike, ndërsa qytetarët kërkojnë ndihmë urgjente dhe përgjegjësi nga autoritetet për menaxhimin e krizës dhe mbrojtjen e pronave të tyre.
© SYRI.net