Kur pothuajse i gjithë vendi ndodhet nën pushtimin e flakëve, bëhet e ditur se në të gjithë ekonominë pyjore të Kurore Dardhës janë aktive rreth 30 vatra zjarri, të cilat kanë përfshirë afro 50 hektarë pyje me pisha dhe bredha, një pjesë e të cilave është djegur plotësisht.
Në terren janë angazhuar forcat pyjore të bashkisë Fushë-Arrëz, trupa të ushtrisë, si dhe shërbimi pyjor i Fushë-Arrëzit, Pukës dhe Kukësit. Situata vijon të mbetet kritike, pasi era po përhap me shpejtësi flakët, duke bllokuar edhe rrugën kombëtare Fushë-Arrëz – Bajram Curri.
Banorët e fshatrave Xath dhe Flet janë evakuuar, ndërsa flakët po rrezikojnë linjat e tensionit të lartë që lidhin hidrocentralin e Fierzës me nënstacionin e Fushë-Arrëzit.
Në Tropojë, rrezikohen gjithashtu linja e tensionit të lartë dhe rruga Tropojë – Qaf Mali – Fushë-Arrëz.
© SYRI.net