Bisedat e transkriptuara nga aplikacioni Sky ECC, kanë zbuluar “hallin” që kishin anëtarët e grupit kriminal të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Krerët e organizatës kriminale, Ervis Çela e Franc Çopja, në bisedat mes tyre shpesh herë diskutonin se si të gjenin një mënyrë për të fshehur apo pastruar paratë. Në një prej bisedave, ata flisnin për hapjen e gropave të ullinjve për të fshehur paratë, ndërsa në një tjetër bisedë, ku përfshiheshin edhe anëtarë të tjerë të grupit, flisnin për konvertimin e tyre në flori
Syri TV
Tonelatat e kokainës që vinin nga Amerika Latine drejt Europës, siguronin miliona euro për organizatën kriminale shqiptare të drejtuar nga Ervis Çela e Franc Çopja. Bisedat e kriptuara nga aplikacioni Sky ecc, zbardhin hallin që kishte gjetur anëtarët e grupit për të fshehur apo pastruar paratë. Shumat vinin në Shqipëri, ku pritësi kryesor dhe që kujdesej për to ishte Ervis Çela. Në një komunikim të Dhjetorit 2020 Ervis Çelës i thoshte Franc Çopjas, se eurot do të groposeshin në Shqipëri poshtë rrënjëve të ullinjve. Çopja e këshillonte t’i investonte në lingota ari pasi nën tokë paratë do të shkatërrohen.
Ervis Çela: Kam 200 ullinj në mal duhet fut naj qyp atyre. Se ullinjtë rrojnë shumë.
Franc Çopja: Aahaha...kthej flori. Mos fut lek në tokë. Më dëgjo mu...
Ervis Çela: S’ka flori...Duhet me grabit naj bank..Duhet me porosit nga Afrika...
Franc Çopja: E di që ska..Do flas un ktu me njanin mos na i sajo ky...Po mblidhi avash avash...Por mos fut lek n tok... Se t prishen.
Ervis Çela: E di që prishen lekët.
Një tjetër transkript është përftuar nga biseda mes Albin Çelës dhe vëllait të tij Ervis Çelës në aplikacionin Sky ECC, duke i thënë:
Ervis Çela: Hë sa fute?
Albin Çela: 4 cop...6 milion..I futa atje ke magazinat. Do i hedh beton përsipër...Po kam frikë knej për baçe se marrin lagështi...Mos u mërzit se i rregulloj unë...Do blej 500 kile flori...Nuk mahen lekët në gropë gjithë jetën.
Ervis Çela: I bone 60 milionë?
Albin Çela: Jo nuk i kam bo.
Ervis Çela: Ok se do i bosh...Të rregullosh kalamojt’....
Në këtë bisedë, vëllezërit Çela flasin për hapjen e gropave në rrënjët e ullirit për të fshehur eurot e kokainës. Në datë 13 Dhjetor 2020, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Ardjan Çela me të cilin dyshohet se bisedojnë në lidhje me fshehjen e parave cash dhe sasinë e parave të akumuluara prej tyre.
Ervis Çela: Marove tu bo gropa?
Ardjan Çela: Tani po mbaroj duke i përgatit..filloj dhe shiu tani...
Ervis Çela: Do ja kalosh lales?
Ardjan Çela: Po të mbaroj fuçin dhe të shkoj ti mbyll...Ahahaha...
Ervis Çela: Ahahaha...i bone 10?
Ardjan Çela: Lala ka më shumë...Po
Ervis Çela: Të nis dhe 4/5M ktë javë që vjen...Ahahaha...
Ardjan Çela: Flasim më vonë...
Më datë 14.12.2020, Ervis Çela komunikon me vëllain e tij Riza Çela të cilit i shkruan se ka akumuluar një vlerë monetare prej më shumë se 100 milionë euro. Më datë 2 Shkurt 2021 në orën 21:03, Ervis Çela komunikon me Franc Gergely (Çopja) të cilit i shkruan:
Ervis Çela: “Nuk dijm ku me çu lekët”.
Ervis Çela i përgjigjet:
Ervis Çela: Flori shok...Do t jap un kontakt..Do ti kthej të gjitha shqipri.
Franc Çopja: 20/30 kile çdo dit..Bani 1000 kile flori...
Ervis Çela: Po merr nja 200/300 kile për mu.
Franc Çopja: Ësht me 55 tani..Un vet kam arrit ke 100 kile deri tani...
GJKKO ka konfirmuar masën “arrest në burg” për 7 persona nga 15 masa sigurie, ndërsa ndryshoi masën nga arrest në burg në arrest shtëpie për Riza Çelën. Ndërkohë në “detyrim paraqitje” u lanë dy shoferët e autobusëve, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa cilët sillnin paratë në Shqipëri. I arrestuar më herët në Belgjikë është Franc Çopja. Organizta kriminale sipas SPAK arriti që të trafikojë 28 ton kokainë, 17 prej të cilave ju kapën.
© SYRI.net