Zjarri masiv në Bashkinë Poliçan, Njësia Administrative Terpan, ka dalë plotësisht jashtë kontrollit, duke marrë përmasa të jashtëzakonshme dhe duke rrezikuar djegien e fshatrave përreth.
Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik dhe Panarit, si dhe në zonat brenda Rezervatit të Mbrojtur “Balloll”. Banorët janë thirrur të largohen pa vonesë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencës për një evakuim të sigurt.
Aktualisht, flakët kanë përfshirë edhe fshatin Harunas, ku hyrja është bërë e pamundur për shkak të bllokimit të rrugës kryesore nga zjarri. Kjo situatë ka izoluar disa zona të tjera malore, duke vështirësuar ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Deri tani, gjashtë persona janë raportuar të plagosur dhe ndodhen në spital, ndërsa forcat e emergjencës dhe banorët po luftojnë me kohën për të shpëtuar jetët dhe pronat nga përhapja e mëtejshme e flakëve.
© SYRI.net