Një ngjarje tragjike është regjistruar këtë paradite në fshatin Kullollas, në rrethin e Gramshit, ku një shtetas rreth 80 vjeç dyshohet se ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij. Zjarri ka dalë jashtë kontrollit dhe është përhapur me shpejtësi në disa fshatra përreth.
Si pasojë e asfiksimit nga tymi, i moshuari ka humbur jetën. Shërbimet zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencës janë angazhuar në terren për të shuar flakët dhe për të mbrojtur jetën dhe pronën e banorëve të zonës.
Njoftimi:
Gramsh/Informacion paraprak
Rreth orës 11:00, dyshohet se një shtetas rreth 80 vjeç, ka ndezur zjarr në kopshtin e banesës së tij, në fshatin Kullollas, zjarr i cili ka dalë jashtë kontrolli dhe është përhapur masivisht, në disa fshatra të rrethit të Gramshit. Dyshohet se si pasojë e asfiksimit, ky shtetas ka humbur jetën.
Shërbimet e Policisë, të Zjarrfikëses dhe të Emergjencave Civile kanë shkuar menjëherë në zonë, ku po punojnë intensivisht për shuarjen e zjarrit, si dhe për evakuimin e banorëve të fshatrave në të cilat janë përhapur flakët.
Ndërkaq, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po heton për të zbardhur dhe dokumentuar shkakun e zjarrit dhe rrethanat e tjera të rastit.
© SYRI.net