Mori ryshfet për të kryer një akt ekspertim, pranga mjekut në Rrëshen

Mori ryshfet për të kryer një akt ekspertim, pranga mjekut në Rrëshen

15:49, 04/10/2023
A+ Aa A-

Një mjek ligjor është arrestuar mesditën e sotme në Rrëshen. 63-vjeçari akuzohet se ka marrë 100 euro për të kryer një akt ekspertimi.

Burimet policore bëjnë më dije se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale Z.P., 63-vjeç.

Njoftimi:

Rrëshen, Mirditë

Mori një shumë parash, për të kryer një akt ekspertimi, vihet në pranga 63-vjeçari, me detyrë mjek ligjor në spitalin e Rrëshenit.

Sekuestrohet shuma 100 euro që mori i arrestuari.

Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të kallëzimit të shtetasit Gj. S., 55 vjeç, banues në fshatin Spiten, Lezhë, se një mjek ligjor i spitalit të Rrëshenit, i kishte kërkuar dhe i kishte marrë 100 euro për të kryer një akt ekspertimi mjeko-ligjor për një çeshtje të 55-vjeçarit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin Z. P., 63 vjeç, banues në Rrëshen, me detyrë mjek ligjor në spitalin e Rrëshenit.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u sekuestrua si provë materiale, shuma 100 euro që 63-vjeçari i mori shtetasit Gj. S., në kundërshtim me ligjin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale "Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

Ky rast është ndjekur në bashkëpunim me gazetarët e emisionit investigativ "Piranjat", ndaj Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë i falënderon ata. Gjithashtu, fton gazetarët dhe qytetarët që të denoncojnë çdo paligjshmëri, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm, konform ligjit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco