Bllokohen 250 mijë euro në portin e Durrësit që vinin nga Italia, arrestohet transportuesi

Bllokohen 250 mijë euro në portin e Durrësit që vinin nga Italia, arrestohet transportuesi

11:31, 23/09/2023
A+ Aa A-

Në portin e Durrësit është ndaluar tentativa për të futur në Shqipëri mbi 251 mije euro të padeklaruara dhe barna pa doganë. Transportuesi i tyre, banor i Durrësit që vinte nga Italia, u arrestua në vend.

Policia Kufitare e portit të Durrësit njoftoi se si rezultat i zbatimit të masave shtesë të ndërmarra për të rritur parametrat e sigurisë në këtë pikë kalimi kufitar, për t’iu ofruar qytetarëve, shërbim cilësor, etik dhe të shpejtë, si dhe për të parandaluar dhe për të goditur krimet kufitare, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e tentativave për pastrim të parave nga grupet kriminale, ka finalizuar një tjetër operacion për goditjen e tentativës për të futur para dhe medikamente në vendin tonë, pa i deklaruar.

Si rezultat i operacionit policor të koduar “Fluksi 4", i zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet doganore, u arrestua M.H, 58 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës, i cili vinte nga Italia dhe kishte fshehur automjetin e tij, 251 295 euro dhe medikamente, me qëllim futjen e tyre në Shqipëri, pa i deklaruar sipas ligjeve në fuqi.

Shuma e parave dhe medikamentet u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për dokumentimin ligjor të këtij rasti.

Mbi të rëndojnë tri akuza: “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Kontrabanda me mallra të licencuar”.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco